Dy ditë pas deklaratës së Kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule se në Greqi në kohën e demokracisë nuk ka ekzistuar një krahinë me emrin Çamëri, ka reaguar kreu i PDIU-së, që mbron interesat e popullsisë çame në trojet e tyre, Shpëtim Idrizi, i cili e cilësoi Vangjel Dulen si një provokator që synon të ngjallë urrejtjen mes minoritetit dhe popullsisë shqiptare.

Në një konferencë për shtyp, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi se Vangjel Dule provokoi pasi është në panik nga mbështetja elektorale që mori në mbarë vendin PDIU, partia që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë. “Ky njeri është provokator përsëritës, që synon të ngjallë zemërim, urrejtje, fërkime midis pjesëve të ndryshme të popullsisë shqiptare. Çdo dalje e tij në ekran, si shpalosës i tezave të egra, fyese për popullin shqiptar të Çamërisë dhe shqiptarët në përgjithësi, irriton. Ky njeri nuk përfaqëson interesat e minoritetit grek, sepse përndryshe ai minoritet do ta votonte masivisht. Përkundrazi, megjithë manovrat, shitjet e vizave me konsuj xhambazë, me shkatërrues varresh, ky njeri e ka tretur gjithnjë e më shumë partinë që i urti Vasil Melo themeloi dikur. Ky njeri i fryn ndarjes mes minoritetit grek dhe popullsisë tjetër shqiptare, sepse përndryshe do ta respektonin, njëlloj si ne respektojmë miqtë tanë të minoritetit grek në marrëdhënie jetësore, të çfarëdo lloj natyre. Si pasojë ky njeri nuk përfaqëson askënd në Shqipëri”, theksoi Idirizi.

 

I gjendur pa shumë hapësirë manovruese politike, me një numër votash gjithmonë e në tkurrje, u shfaq në një televizion provokatori përsëritës Vangjel Dule. Ky njeri është në panik nga mbështetja elektorale që mori kudo nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim, PDIU, partia jonë që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë dhe ka ditur ta shndërrojë çështjen çame në çështje të të gjithë shqiptarëve

Sipas tij, Vangjel Dule përfaqëson interesat e qarqeve të errëta të vendit fqinj. “Këto qarqe, në vend të merren me hallet që i kanë pllakosur si pasojë e mendësisë të liliputit që kur shihej në pasqyrë i ngjante vetja si Herkul, duan të merren me të tjerët. Ky njeri nuk përfaqëson madje as Greqinë zyrtare. Tezat që ai shpalosi në një emisionin televiziv, në lidhje me Çamërinë, me refuzimin në kufi të, gjyshërve dhe gjyshërve tanë që i krijojnë frikë s’dihet se kujt në Greqi, nuk i kemi dëgjuar prej ndonjë autoriteti zyrtar grek. Pra jemi vërtet të çuditur se prej nga ku i merr ushqimet propagandistike ky njeri”, tha kreu i PDIU-së.

Ai i bëri apel Dules, të merrte disa leksione historie përpara se të fliste për Çamërinë, duke i bërë me dije se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Idrizi tha se termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit, duke sqaruar se me këtë janë dakord edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhëtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij.

Kreu i PDIU-së e cilësoi deklaratën e Dules si një çmenduri, ndërsa e cilësoi atë si Shaban Qosja e Gëzim Kulufi, dy personazhe groteske të kohës së regjimit nëpër rrugët e Tiranës. “Ne po i përgjigjemi atyre qarqeve të errëta të politikës dhe të shtetit grek që s’guxojnë të dalin në dritë, por vendosin para vetes shërbëtorin e tyre Dule. Ne i themi këtyre qarqeve, këtij njeriu të tyre, se Çamëria ka qenë dhe mbetet një realitet historik dhe ekzistues, sot dhe në të ardhmen. Ai thotë se që nga koha e demokracisë nuk ekziston një emër Çamëri. Kjo është një çmenduri që vetëm një renegat mund ta thotë: Ai më ngjan si provokator dhe ngacmues pa shkak me 2 personazhe groteske të viteve 80 në Tiranë, si Shaban Qosja dhe Gëzim Kulufi. Dulja që shef nga Athina e i duket vetja europian le të pyesë qytetarët e vjetër Tiranës se kush janë ata, dhe që mbeten gjithsesi më të mirë se vetë Dulja”, nënvizoi Idrizi.

Shpëtim Idrizi deklaroi se “Çamëria është një plagë që kullon gjak akoma, si pasojë e veprimeve genocidale të paraardhësve të atyre që kanë sot për zëdhënës Vangjel Dulen. Janë mijëra vjet histori, janë 9500 km2 tokë shqiptare që u aneksuan nga Greqia në vitin e mbrapshtë 1913, janë 300 mijë Shqiptarë të Çamërisë, janë trojet, varret, shtëpitë e grabitura, që kërkojnë drejtësi dhe nuk mund t’i zhbëjnë as qarqet shoviniste greke e as kulufi liliput Dule. Greqia është shteti i fundit, që drejtpërdrejt apo nëpërmjet zëdhënësish të mjerë mund t’i japë leksione dikujt për pseudonacionalizmin. Nacionalizmi i saj i ngritur mbi monumente të rrejshëm grabitur nga historia e të tjerëve, u rrënua në mënyrë tragjikomike, ndaj ne i shohim bartësit e asaj filozofie, zëdhënësit e saj si Dule, me përbuzje dhe keqardhje”, përfundoi Idrizi reagimin e tij.