Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjet e fundit para se të shkrihet, po mbron gjyqtarët e emëruar dhe të promovuar për shkak të lidhjeve gjysmë të padukshme me Partinë Demokratike dhe segmente të saj. Ndërsa ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë parashikon shkrirjen e KLD-së brenda datës 12 prill, Këshilli, në mbledhjet e tij të fundit vijon të rrëzojë kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë për ndëshkimin e gjyqtarëve, të promovuar me shpejtësi dhe në mënyrë të dyshimtë.

Në mbledhjen e djeshme, KLD ka rrëzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë. lidhur me pronësinë e tokës në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri.

“Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares J. Q, kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Pasi dëgjuan observacionin e gjyqtares si dhe pas diskutimeve mes anëtarëve, Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë”, thuhet në njoftimin e KLD-së.

Bëhet fjalë për vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë. Deri në fillim të vitit 2016, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por më datë 25 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Durrësit, ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë një familjeje nga Durrësi.

Kush është Joana Qeleshi? 

Joana Qeleshi, sot kryetare e Gjykatës së Durrësit, pas përfundimit të studimeve universitare ka punuar pranë Studios Ligjore “Kola&Associates”, në pronësi të Flutura Kolës, ortakes së Argita Berishës në biznes. Pas rikthimit të Sali Berishës në pushtet, në 2005-n, Argita dhe Flutura Kola u kthyen nga Kosova, duke krijuar tri kompani ligjore: Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë një listë në rritje klientësh fitimprurës.

Brenda pak muajsh, këto studio ligjore u kthyen në porta ku kalonin investitorë të ndryshëm, të cilët kërkonin të investonin në Shqipëri, shpeshherë me firmën e Sali Berishës. Në listën e gjatë të klientëve të profilit të lartë përfshihet edhe i famshmi Damir Fazlliç, miku i ngushtë i ish-kryeministrit Berisha, për mbrojtjen e të cilit vuri në rresht të gjitha institucionet shtetërore, madje e futi edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pra, ajo që sot është mban detyrën e kryetares së Gjykatës së Durrësit, në atë kohë, me autorizim të “Kola & Associates”, merrej me regjistrimin e kompanive të Fazlliçit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Sigurisht që nuk ka asgjë të paligjshme në punën e zonjës në fjalë, por e kaluara pranë zonjave Kola-Argita dhe Fazlliçit krijon dyshime të forta se ka ndikuar në karrierën e saj të shpejtë në sistemin e drejtësisë.

Më 19 korrik 2013, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që Joana Qeleshi të kryejë përkohësisht detyrën e kryetares së gjykatës, por nuk kaluan as 15 muaj nga ky vendim, kur KLD mori një vendim të dytë duke caktuar Qeleshin në krye të kësaj gjykate.

KLD-ja në 2013-n, por edhe në 2014-n, nuk bëri transparent faktin pse nuk u zgjodh njëri nga tre gjyqtarë më me përvojë nga Durrësi që kishin aplikuar për postin e kryetarit, por komanduan kolegen e tyre, Joana Qeleshi, e cila kishte filluar punën si gjyqtare në Durrës më 28.12.2011. Për emërimin e saj ka pasur kundërshti të forta në KLD, por shumica e kontrolluar nga Bujar Nishani vendosi me forcën e numrave. Qeleshi ka punuar deri në vitin 2010 në zyrën avokatore të drejtuar nga Argita Malltezi dhe Flutura Kola. Emri i saj del në shumë dokumente juridike të kompanive tregtare të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç.

Marrë nga “Shqiptarja.com”