Detaje të reja zbulohen nga arrestimi i dy autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Memli Begalla. “BalkanWeb” raporton se në rolin e ekzekutorit ka qenë Denis (Alban) Demiri i cili dyshohet se është paguar nga personat që i kishte borxh viktima.

Pas ngjarjes nga këqyrja e kamerave të sigurisë policia ka parë se autorët largohen me një mjet “BMW” të zezë. Mjeti është mbajtur nën vëzhgim. Më pas dy autorët janë parë të futen në një lokal ku pas largimit të tyre policia ka mundur të fiksojë shenjat e gishtave të cilat konfirmuan se Demiri është ekzekutori. Ndërsa Ardian Serezi e ka ndihmuar dhe akuzohet si bashkëpunëtor.

Aktualisht policia është duke e marrë në pyetje Demirin për të zbuluar porositësin e vrasjes.

Mësohet se policia qëllimisht ka mbajtur të ndaluar disa prej personave që u ka pasur borxh viktima për të hequr vëmendjen e autorëve të vërtetë. Ata janë mbajtur në përgjim kur kanë folur me njëri-tjetrin, madje kur kanë thënë se “shpëtuam ne se u kapën të tjerë”, raporton “BalkanWeb”.

Ekzekutori është kapur në banesën e tij në Kombinat. Demiri rezulton me precedentë më parë dhe ka qenë i arrestuar në 2012-n në Tiranë. Në 2013-n ka qenë i dyshuar për vjedhjen e njësisë bashkiake nr. 5 etj.