Të privuar nga kontakti fizik për shkak të COVID-19, banorëve të shtëpive të të moshuarve në një provincë italiane u ofrohet një zgjidhje origjinale: një “dhome përqafimi” e lëvizshme, ku ata mund të përqafojnë me siguri të dashurit e tyre. 

Kjo iniciativë lindi në provincën Avellino, jo shumë larg Napolit dhe që prej Krishtlindjeve “dhoma e përqafimeve” ka udhëtuar nëpër provincë me ndalesa që zgjasin disa ditë në çdo shtëpi pensioni.

Për të pasur akses në këtë strukturë plastike bardhë dhe blu që duket si një çadër, çdo vizitor duhet të rezervojë kohën e caktuar, më pas të vendosë maskën, dorezat dhe kostumin anti-Covid përpara se të hyjë për ta parë më në fund një të dashur të tyre.

Përmes një cipe plastike transparente, personat do të kenë mundësi që të fusin krahët dhe të përqafojnë të dashurit e tyre. Koha e vizitës është e kufizuar në rreth dhjetë minuta. Për të shmangur çdo rrezik të infektimit, dy hapësirat e ndara nga muri plastik dezinfektohen pas çdo takimi.