Aquafade mund të jetë zgjidhja për të kapërcyer problemin e mbetjeve plastike nga pajisjet elektronike. Është një material plastik i tretshëm që shpërbëhet plotësisht brenda gjashtë orëve kur vendoset në ujë.

Ai mund të përdoret për të mbështjellë pajisjet elektronike si kompjuterët apo tastierat dhe të tretet kur pajisja nuk duhet më duke lehtësuar riciklimin ose ripërdorimin e elementëve më të vlefshëm dhe duke pakësuar mbetjet elektronike.

“Ne zbuluam një material që është si ngjitës, quhet PVOH ose alkool polivinil. Një ngra kriteret është që duhet të jetë i sigurt si produkt ushqimor, nëse fëmijët e lëpijnë, duhet të jetë plotësisht i biodegradueshëm në sistemin e tubacioneve”, tha Samuel Wangsaputra.

Sfida ishte te krijimi i një mbulese kundër ujit që mund të shpërbëhet, por edhe shumë rezistente.

Shtresa, gjithashtu e prodhuar nga një polimer plastik, aplikohet vetëm në pjesën e jashtme duke e bërë produktin kundër ujit deri në 5 metra për 30 minuta duke mbuluar kështu rastet e ndonjë incidenti apo në mot të lagësht.

“Por nëse heq vetëm një vidë, kjo krijon rrjedhje. Më pas e fut në ujë. Pas 5-6 orësh, do të tretet dhe ajo që mbetet është ujë i bardhë dhe pjesët më të vlefshme të pajisjes elektronike.”

Uji thjesht mund të derdhet në lavaman apo tualet dhe dekompozohet në sistemin e tubacioneve.

Zbatimi i parë në rang komercial i Aquafade mund të jetë shtresa mbështjellëse e shiritave të dorës me LED që përdoren në koncerte.

Momentalisht, Aquafade kushton sa dyfishi i plastikës që synon të zëvendësojë. Por kjo kosto i shtohet totalit me 5-10% dhe prodhimi në masë do të ulë çmimin.