Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i ftuar në studion e emisionit “Opinion”, në lidhje me projektin “Veliera”, ka deklaruar se Bashkia po ndërton aty një hapësirë publike për qytetarët dhe një nënkalim ku do të kalojnë makinat për arsye se gjatë sezonit turistik do kemi një fluks të madh.

Dako tha se kemi një fluks shumë të madh të trafikut të rënduar në atë zonë. Sipas tij, Bashkia ka menduar që ta stabilizojë atë segment, duke ndërtuar një nënkalim.

Ai bëri me dije se sipërfaqja që do përfitohet nga ndërtimi i këtij nënkalimi do kthehet në një hapësirë publike.

“Ne e shikojmë atë si një potencial shumë të madh për ta kthyer atë në një shesh normal për qytetarët e Durrësit, një shesh që njerëzit e konsiderojnë si një pikë takimi për të qëndruar, por njëkohësisht edhe të shfrytëzojnë atë nënkalim për të shmangur trafikun e rëndëuar”, tha Dako në “Opinion”.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Durrësit, ka shpjeguar edhe projektin që ka nisur punimet në qytetin e Durrësit. Dako tha se tek Torra Veneciane, vihen re pjesët e një muri që i përket periudhës bizantine. Ndërsa theksoi se nga ana tjetër kemi një pallat, në themelet e këtij pallati që është ndërtuar në vitet 2000, kemi fragmente të shpjegimit të këtij muri.

Sipas tij, pika A dhe pika B, kemi segmente që janë të pasqyruara të këtij muri.

“Janë fizike dhe ne i shikojmë. Që do të thotë, nëse do t’i bashkojmë dhe do të ndjekim këtë vijë, do të thotë se më parë ka ekzistuar një mur i kohës bizantine. Ky mur nga Torra deri këtu është prishur në vitet 1900, kur është hapur dhe zhvilluar gjithë rruga tregtare dhe gjithë kjo hapësirë”, bëri me dije kreu i Bashkisë së Durrësit.