KANADA – Një kanadez ka humbur betejën e tij në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe tani do të vuajë 18 muaj burg, pasi akuzohet se ka hapur qëllimisht vrima në prezervativ, ndërsa bënte seks me të dashurën, sepse donte të kishte një fëmijë me të. Tashmë Craig Jaret Hutchinson do të vuajë dënimin për dhunë seksuale.
Përpara gjykatës, avokati i vajzës deklaroi se klientja e tij ia kishte bërë të qartë të pandehurit se nuk donte fëmijë.
Hutchinson dhe e dashura e tij, N.C, nisën të dalin së bashku në janar të vitit 2006. Por pavarësisht se kishin një jetë aktive seksuale, vajza nisi të humbasë interesin për lidhjen e tyre. Në këto kushte, Hutchinson vendosi që të hapte vrima në prezervativ, me qëllim që ta linte shtatzënë, në mënyrë që të mos ndaheshin.
Fillimisht ajo pranoi të mbante fëmijën, por gjërat ndryshuan kur ai i tregoi se donte shumë një fëmijë me të dhe për këtë arsye kishte shpuar prezervativin. Ajo vendosi ta abortonte fëmijën dhe paditi në polici të dashurin e saj.





