Shkencëtarët kinezë në Spitalin e Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë së Kinës (USTC) kanë zhvilluar një qasje premtuese të trajtimit të sëmundjes së Parkinsonit përmes transplantimit të qelizave staminale në tru, që synon të rigjenerojë neuronet që prodhojnë dopaminë, qelizat që humbin funksionin te pacientët me këtë sëmundje neurodegjenerative.
Në një provë klinike të Fazës I, trajtimi u dha gjashtë pacientëve, dhe ata raportuan përmirësime të shpejta të simptomave, përfshirë rritje të sinjalizimit të dopaminës në tru diçka që trajtimet ekzistuese nuk e arrijnë.
Një pacient nga këta pati një përmirësim dramatik, ku rezultati i tij në shkallën e vlerësimit të sëmundjes ra nga 62 (niveli i rëndë) në 12, afër funksionimit normal, tre muaj pas trajtimit.
Sipas ekipeve kërkimore, më shumë se 80% e qelizave staminale të transplantuara u konvertuan në neurone funksionale që prodhojnë dopaminë, një normë shumë më e lartë se ajo e raportuar nga ekipe të tjera ndërkombëtare.
Ekspertët konsiderojnë këtë qasje si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një terapie që mund të kalojë përtej menaxhimit të simptomave drejt rigjenerimit të indeve nervore të dëmtuara, gjë që mund të sjellë shpresë për një trajtim të qëndrueshëm në të ardhmen, edhe pse kërkimet dhe provat klinike më të mëdha vazhdojnë.





