Shkresa e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës drejtuar bashkisë Durrës lidhur me çmimet mesatare të m2 në dy zonat kadastrale 8512 dhe 8514, që preken nga shpronësimet në kuadër të projektit TID duket se mbart një gabim njerëzor.

Çmimi mesatar i m2 për shpronësimet e njësive tregtare në zonën 8514 është 12.836 lekë, ndërsa në zonën tjetër është 93.364 lekë të reja.

Ai që nga ana e bashkisë është cilësuar si gabim njerëzor dhe është evidentuar nga këshilltari i djathtë Ardian Muka që në mbledhjen e komisioneve bashkiake nuk është korigjuar, madje dhe përllogaritja e shpronësimeve është bërë me këtë vlerë. Në të njëjtën vlerë kaloi për miratim edhe në mbledhjen e Këshillit.

“Nga ajo çfarë unë arrita të kap dhe në momentin e parë kujtova se ishte një lapsus, por pastaj deri në momentin e fundit nuk u sqarua nga ana e bashkisë në Këshill, është vlera e shpronësimeve për zonën kadastrale 8514. Është rreth 10% më e vogël vlera e njësive tregtare, nga të cilat, si nga ana e ASHK-së, e cila ka sjellë informacionin, dhe nga ana e bashkisë në relacionin që i përcolli KB-së mbeti e njëjta vlerë. Megjithëse ne e bëmë këtë vërejtje, na u tha që do të përmirësohet, do rregullohet dhe në mbledhjen e Këshillit u soll e njëjta dhe ka kaluar për miratim me këtë vlerë. Ky do të jetë një problem, që nesër me siguri do të rikthehet në mbledhjen e KB-së për të bërë korigjimin e kësaj vlere”,- thotë Muka për “DurrësLajm”.

Vlerat e shpronësimeve kundërshtohen nga familjet e prekura, gjë që përforcohet edhe më shumë nga kontaktet që këshilltari Muka ka pasur me ta gjatë këtyre ditëve.

“Banorët thonë përballë këtij zhvillimi të qytetit, ne duam të jemi të barabartë. Ne duam që edhe projekti të bëhet, por edhe ne të shpronësohemi me drejtësi dhe me vlerën e duhur”.

Këshilltari i djathtë e vë theksin dhe në ato që sipas tij janë selektime klienteliste, pasi përgjatë viteve të fundit lista e objekteve, që do të prishen dhe do të restaurohen në kuadër të projektit, i cili do të aplikohet në parkun arkeologjik të Durrësit ka ndryshuar disa herë. Ardian Muka ngre gjithashtu pikëpyetjen lidhur me faktin që shtëpi të banorëve autoktonë të qytetit prishen, ndërsa paralelisht jepen leje për hotele nga Këshilli Kombëtar i Territorit 20 metra larg amfiteatrit.

“Shumë banorë, sepse janë 103 objekte pronësore që preken nga ky projekt për shpronësim shemben duke qenë të legalizuar, duke qenë në pronësi të vjetra, ndërkohë që pronarëve të rinj, afër me pushtetin u jepet e drejta të ndërtojnë hotele 20-30 metra larg rrezes së amfiteatrit. Lista nga fillimi, nga projekti i zhvilluar nga studio italiane, nga përpunimi që ju bë nga Ministria e Kulturës dhe më prapa ka pësuar disa ndryshime. Objektet që nuk ishin për t’u shembur dhe për t’u shpronësuar janë futur dhe ato që ishin në fillimet e tyre janë hequr. Kjo është pjesë e ndikimeve klienteliste mendoj, më shumë sesa i takon pjesës së urbanistikës”.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të ditës së hënë, u miratua vlera e shpronësimit të 99 pronarëve të pasurive të paluajtshme truall apo ndërtesë që kap shifrën 467.227. 937 lekë.

Në relacionin e parë dërguar këshilltarëve, ditë para mbledhjes, bashkia listonte 103 pasuri të paluajtshme, që preken dhe vlerën totale të shpronësimeve rreth 490 milionë lekë të reja.

M.B.