Planifikuesi urban Artan Kacani i konsideron të padrejta dhe vandale shpronësimet që do të ndodhin tek amfiteatri për t’i hapur rrugën projektit për zbulimin e plotë të tij.

Në shkrimin e mëposhtëm që ka dërguar në redaksinë e “DurrësLajm”, Kacani rendit 10 arsye pse është kundër këtyre shpronësimeve.

Nga Artan Kacani

Përse shpronësimet tek amfiteatri janë të padrejta dhe vandale?

1.      Lagja e kalasë është zonë historike e dokumentuar si vendbanim i rregullt nga mesi i 1700 deri me sot. (Plani Osman i Tarracifikimit të kodrës – ndryshimi i gjëndjes se lugët dhe sheshimi ne njërin krah).

2.      Shumë banesa jane dëshmi historike e Kombit tonë, dhe luftës për pavarësi. (Banesa e Esat Pashë Toptanit, galeritë që u perdoren per armatime, postblloku tek shkallet e siperme mbi kala per te ndarë zonën urbane nga regjimenti brendshem i kalase).

3.      Të gjitha pronat janë regjistruar në fillim të viteve 1920. Disa nga Familjet ishin në ato vite ishin: Topçiu, Kthupi, Bodikjan, Sela, Fermija, Shami, Metani, Rama, Durrësi, Toçi, Myderrizi, Velia, Lila, Koja dhe Kacani.

4.      Familjet, banuese të lagjes, janë taksapagues në qytet prej shekujsh, duke kontribuar në shërbime dhe detyrime urbane.

5.      Taksat e banorëve të lagjes Kala kanë mundësuar jo vetëm urbanizimin dhe shërbimet qytetare  por edhe zhvillimin e zonës, ndryshe nga sa spekullohet për zënie e tokës.

6.      Metodologji të ndryshme vlerësimi të pronës janë ndjekur për të njëjtën zonë banimi. Kjo con në keqkuptimin e vlerës së pronës në këtë zonë.

7.      Ka banorët të cilët nuk janë në listën e VKM dhe që jetojnë akoma në zonë e kalasë, në rast të shëmbjes së shtëpiave do të kemi banorë të pastreh.

8.      Shpërblimi është një forme të vetme, atë monetare, cka bie ndesh me parimet e të drejtës së zgjedhjes së strehës për banorin në të ardhmen – kjo mund të cojë në përzënien e banorit nga lagja.

9.      Nuk ka një plan të qartë mbi historinë që do të zbulohet duke konsideruar banesat si kundërshtare të interpretimit historik – kjo gjë shkon në një formë të vetme të leximit të historisë së qytetit, dhe brendësisë së kalasë.

10.    Zhduken përgjithnjë gjurmët urbane të një vendbanimi në fortifikimin e sipërm të 500 viteve të fundit.