Nga Myzejen Konduri

Në vështrimin tim pos jell shqetësimin qytetar për ngjarjet tragjike në vendin tonë duke kujtuar dhe vrasjen e engjëllit Martin Cani.

Var veten një i ri, një e re, fëmija e një nëne. Ikën  brenga, dhimbja e pengu mbetet në folenë e shpirtit tonë. Nëna provoi helmin e vdekjes, por i gjithfuqishmi i dha forcë.

Mes syve të përlotur, të gjithë kemi bërtitur, pse, pse?!

Problemet janë të shumta… Po shihet me sy shprese qeverisja e kohës…Po ditët rendin…Ikin shpejt.

Rinia është e ardhmja. A duhet të bëjmë më shumë për ta e dëshirat e tyre?

Ndoshta do të dukem patetike, por Familja, Nëna , Babai, Flamuri  dhe Atdheu, janë gjërat më të vyera për çdo njeri.

A ka ardhur koha të kthejmë ato virtyte aq të çmuara të të parëve,  për vete e për të tjerët…? Të kthejmë paqen në jetët tona? Të gjithë mallkojmë fajin për ngjarjet e fundit.

Të fillojmë nga fjalët magjike, faleminderit, më fal, të lutem, kujdes, mund, duhet. Për fëmijët, ne prindërit,  ulim qiellin në tokë… Po  sa janë  këta prindër afër fëmijëve të tyre për shqetësimet, vështirësitë, ëndrrat?!

Nuk e hiperbolizoj të them se koha e prindërve, mësuesve, ka humbur pas punës. Kështu ka rrëshqitur pa u kuptuar marrëdhënia  prind – fëmijë, mësues – nxënës.

Marrim marrëdhënien prindër – fëmijë. Zbehja e këtyre marrëdhënieve sjell deformime në sjelljen e fëmijëve. E them këtë se ata ndjehen të harruar. Nevoja e tyre për të komunikuar kërkesat e moshës, kohës, dëshira për t’u ndjerë të vlerësuar e për të shkëmbyer mesazhet e ëndrrave të tyre, nuk janë pak.

 Prindërit në këtë kohë moderne punojnë e lodhen shumë për të fituar sa më shumë, për të plotësuar të gjitha nevojat e familjes, që të ndjehen sa më mirë duke u ndjerë të vetkënaqur me standartin ekonomik që arrijnë. Po sa janë të aftë ato të orientojnë fëmijët, veçanërisht adoleshentët, që jetojnë delirin e moshës, në marrëdhënie me shoqërinë në këto kohë moderne…?!                            

Jemi të gjithë të ndryshëm në këtë botë, por që kemi dhe shumë gjëra të përbashkëta. Por sa rëndësi i japin prindërit, shoqërisë së fëmijëve. Sa të ndjeshëm janë ata ndaj zymtësisë së një dite në shkollë… Fyrjes që ka provuar ai nga ndonjë shoqe a shok. .. Po rebelimin e tyre ndaj ndonjë keqkuptimi, shpifje…     

Ata në këtë periudhë rritje, kanë nevojë më shumë se kurrë që të jenë më fleksibël në biseda a në marrëdhëniet  shoqërore.  Keqkuptimet  nga batutat që janë bërë të modës, mungesa e respektit reciprok në këto marrëdhënie, i çojnë fëmijët tanë në konflikte. Nuk çuditemi më, kur ata të shpjegojnë se rasti tragjik në shkollë,  erdhi për një fërkim bërryli ose se e ka parë shtrembër një shok apo ndonjë shaka e tepruar për pamjen ose… Ndaj në këto kohë të vrullshme, prindërit të mos harrohen pas punës, celularit, kafeneve, telenovelave. Ata duhet  të jenë më të pranishëm  në rritjen e tyre, jo vetëm fizike.

Jetojmë në kohën e elektronikës. Po librin se zëvëndëson asgjë. Nga fuqia e fjalës në një poezi, tregim, novelë, roman, troket ndjenja e dashurisë, mirënjohjes, krenarisë. Çelin dëshirat që duan t’i realizojnë Ata.

E ne prindërit, s’duhet të ndrydhim energjinë e tyre, por  të shkallmojmë veset.  T’i largojmë nga shkëlqimi i rremë.  Vetëm kështu ,zemra e tyre do të mbetet e pastër e do na bëjnë krenarë.

Për marrëdhënien mësues-nxënës kam shkruar dy muaj përpara . Ka arritje, por theksoj se tashmë stafet  pedagogjike duke qenë heterogjene  sjellin dhe mentalitetin e familjeve të tyre, të zonave nga vijnë. E them këtë sepse nuk duhet nënvlerësuar. Jo rrallë vetë qëndrimi dhe marrëdhënia e tyre si mësimdhënës dhe edukator  lë për të dëshiruar.  Janë të vrazhdë, paragjykues, me një etikë të munguar. Mësues të tjerë nuk janë analitikë ndaj sjelljes së nxënësve. Për fëmijët tanë, nxënësit e tyre, duhen jo vetëm metodat e mësimdhënies, jo vetëm informacioni i shumtë elektronik, por pak më shumë vëmendje në njohjen e individualitetit  të nxënësit.  

Ngulmoj se duhet më shumë ndihmë jashtë orës së mësimit. T’u japim më shumë vëmendje, respekt e dashuri dhe pa mëdyshje them se fëmijët tanë, nxënësit e tyre, do të mësojnë më shumë. Do të jenë më të mirë dhe do t’i respektojnë mësuesit e përpjekjet e tyre për Ta. Spektrin e interesave e ëndrrave të fëmijëve tanë duhet  t’i njohim më mirë.

Nuk duhet të harroj dhe një hallkë tjetër jo më pak të rëndësishme në këtë kohë. Veprimtaritë kulturore- artistike për fëmijët tanë. nuk duhet të mungojnë, përkundrazi duhet të shtohen.  Këto veprimtari duhet të kenë objekt dhe subjekt fëmijët, nga cikli I ulët deri te ato të ciklit të lartë. Fuqia tërheqëse e këtyre veprimtarive , gjallëron jetën e tyre duke i afruar te ëndrrat dhe i largon nga vetmia.  Kjo s’do të thotë që  ky argëtim të jetë parësor, gjë që duhet analizuar në të ardhmen për këtë dukuri, që është shqetësuese për mentalitetin e individit modern. Këto veprimtari duhet t’i shërbëjnë edukimit, lidhjes sociale të fëmijëve tanë që ata të njohin më mirë veten, marrëdhëniet shoqërore dhe qytetare.

Shqetësimi im qytetar dëshiroj të lërë pak gjurmë e të mos mbetet vetmitar.As duhet të heshtim, as duhet të brohorasim kot. Përrenjtë e djersës tonë, duhet të marrin premtimin e brezit që rrisim që të farkëtojnë forcën, dijet, arsyen për vazhdimësi.  Vetëm kështu do të shuajmë kronikat e zeza në TV e gazeta, për familjet tona, për fëmijët tanë, sepse kështu zemrës i japim qetësi.