Itali, 4 gusht 2014 – Rënia e efikasitetit të kontrolleve antikontrabandë dhe antikrim në portet shqiptare (Durrës –Vlorë) ka bërë, që nga Roma të urdhërohen autoritetet ligjzbatuese në portet italiane, ku mbërrijnë tragete nga Shqipëria, të përforcojnë shërbimin antikrim.

Roja e Financës italiane, Policia detare dhe ajo e kufirit, karabinieria, dogana madje edhe Policia Pyjore italiane po bashkëpunojnë në mënyrë aktive për të neutralizuar këtë valë kontrabande, droge, armësh dhe klandestinësh (jo shqiptarë), që mbërrijnë nga portet shqiptare në ato italiane.

Vetëm këtë të hënë, në portin e Barit roja e financës, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë Pyjore italiane, bllokoi disa raste kontrabande “Made in Albania”. Roja e financës në Portin e Barit sekuestroi disa breshka të species së mbrojtur “Hermanni Boettgeri” dhe të species “Trachemys scripta Elegans”, që ishin fshehur në disa arka në bagazhin e një makine me targa shqiptare, të sapo zbritur nga trageti i linjës Durrës –Bari. Drejtuesja shqiptare e makinës u denoncua, ndërsa breshkat i kaluan Policisë pyjore italiane.

Nga një traget tjetër i linjës Durrës –Bari zbarkoi një shtetas italian, të cilit ju sekuestruan tre kafaze me gardelina. Policia pyjore i lëshoi gardelinat në zonën rurale pranë Barit, ndërsa italiani u gjobit me 4 000 euro gjobë.

Në orët e para të së hënës, 4 gusht, policia e Leçes kontrolloi një maune, që do të imbarkohej në traget për në Shqipëri. Në kamion u gjetën dy qen gjakpastër të racës angleze “Setter” mashkull dhe femër. Qentë u gjetën gjysëm të asfiksuar dhe të dehidratuar. Kamionisti shqiptar 36 vjeçar u denoncua për sjellje mizore ndaj kafshëve, ndërsa kamioni u sekuestrua. Nga hetimet rezultoi se dy qentë ishin vjedhur në 17 korrik 2014, në qytezën e San Xhovanit in Marinjano (San Giovanni in Marignano) të provincës së Riminit. Shoferi 36 vjeçar thjesht po i transportonte qentë e vjedhur për në Shqipëri. Hajduti i qenve ishte shqiptari 26 vjecar A.M., që po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/