Biletat për ndeshjen e fundit kualifikuese të Shqipërisë kundër Ishujve Faroe, janë shitur të gjitha në pak orë. Të paktën kështu pretendon FSHF-ja.
Sigurisht ecuria e shkëlqyer e kombëtares dhe fakti që jemi shumë afër kualifikimit në “Euro 2024”, ka bërë që interesi të jetë i jashtëzakonshëm.
Por edhe këtë radhë pati abuzim nga institucioni që drejton futbollin në vend.
Në letër, Ishujt Faroe janë një ekip modest dhe Federata për të përfituar nga interesi i lartë ka katërfishuar çmimet.
Në prolog të eliminatoreve të “Gjermani 2024”, pas disfatës në Poloni, Shqipëria priti në Tiranë ekipin e Moldavisë dhe një biletë pas portës kushtonte 750 lekë, tani vlera është 4-fishuar duke shkuar në 3000 lekë.
Gjithashtu një biletë në tribunën karshi kushtonte 3000 lekë, tani vlen 8000 lekë. Plot 5000 lekë më shumë. Një rritje e frikshme dhe e turpshme nga FSHF, që tregohet gjakpirëse me tifozët.


Duket paradoksale, por një biletë për të parë Shqipërinë kushton afërisht sa paguan një italian për të ndjekur të kaltërit në stadium.
Por përtej çmimit, abuzimi vazhdon edhe me shitjen e biletave. Pavarësisht orarit të gjatë që qëndruan në pritje, tifozët nuk arritën të merrnin biletën e tyre.
Në momentin final, pasi të vinte radha, të shfaqej në ekranin e tabletit apo smartfonit se biletat kishin avulluar.
Kur Federata ka nevojë për tifozët bën promovime nga më të ndryshmet, kurse kur kombëtarja shkon mirë i tradhëton ata, madje edhe ata më besnikët dhe iu rrit çmimet.
Mos të flasim për çmimet e produkteve që tregëtohen në stadium. Një birrë në “Air Albania” kushton 500 lekë, ndërsa në mitikun Anfield, ku luan Liverpool-i, kushton 4 paund.
Standardi i pagave në Angli nuk mund të krahasohet me atë në Shqipëri, por ama ne ia kalojmë me çmimet kur duhet të paguajmë për shërbimet…
Shqipëri-Ishujt Faroe do të zhvillohet në 20 nëntor në “Air Albania” dhe në këtë mbrëmje të madhe për futbollin shqiptar, kuqezinjtë pritet të festojnë kualifikimin në “Euro 2024”.





