Policia shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe malazeze vijojnë aksionin për kapjen e gomones, e cila arriti që t’i shpëtonte mbrëmë ndjekjes disa orëshe. Gomonia rreth 3 m e gjatë, me dy motorë dhe tre persona në bord, e nisur nga Vlora, është ndjekur në det të hapur nga Forca Detare shqiptare dhe Forcat e Armatosura mbrëmë.
Gomonia është konstatuar rreth dje orës 13:50 që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Mezo-kanalit, Sazan, ndërsa në zonën e Karaburunit policia ka gjetur të fshehur rreth 28 kg kanabis, të fshehur midis shkëmbinjve.
Dyshohet se gomonia do ngarkohej me lëndë narkotike, pasi nga pamjet filmike të policisë në bord duken bidona plastikë dhe pjesa tjetër bosh. Pas konstatimit në det të hapur, policia ka kërkuar ndihmën e FA për kapjen e gomones.
Menjëherë operacionit i janë bashkuar anija "Oriku" dhe helikopteri i FA, "Cougar", të cilët kanë ndjekur në ujërat neutrale për rreth 1 orë gomonen që lëvizte me shpejtësi. Policia bën të ditur se pavarësisht ndjekjes, deri tani nuk është bërë e mundur kapja e gomones, pasi dyshohet se është fshehur në ndonje gji bregdetar, në ujrat territoriale midis Malit të Zi dhe Kroacisë.





