Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është duke diskutuar një draft-rezolutë për situtatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Europës. Draft-rezoluta e hartuar nga reporteri Agustin Conde, deputet spanjoll i Partisë së Djathtë Spanjolle, bën një vlerësim pozitiv të arritjeve në Kosovë në fushat e demokracisë dhe forcimit të ligjit. Draft-rezoluta nënvizon në përfundim të saj propozimin shumë të rëndësishëm mbi ngritjen e nivelit të dialogut të Asamblesë Parlamentare të KiE me Kuvendin e Kosovës, duke bërë shumë të afërt afrimin e Kosovës me KiE.

Kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj rezolute, ka ndërmarë një proces të gjatë bashkëpunimi dhe konsultimi me përfaqësuesit e Kosovës. Leskaj ka thirrur në takim ambasadorin e Kosovës në Tiranë dhe ka bërë disa takime konsultative me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, dhe njëkohësisht me kryetarin i delegacionit të Kuvendit të Kosovës që ndodhet në KiE. Gjatë zhvillimit të këtij sesioni, të dy delegacionet në bashkëpunim të plotë dhe në harmoni qendrimesh kanë gjetur mbështetje për sugjerime të mëtejshme ndaj kësaj rezolute nga shumë delegacione të tjera parlamentare pjesëmarrëse në sesion.