SHKUP, 4 shtator 2013 – Një maratonë e re noti e organizuar së bashku nga Maqedonia dhe Shqipëria do të jetë një nga veprimtaritë më të mëdha sportive në Ballkan dhe pritet të tërheqë turistë, ndërsa përmirëson marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, njofton portali 10-gjuhësh setimes.com. Zyrtarët maqedonas të sportit e propozuan dhe e parashikuan maratonën si një garë prej 40 kilometrash nga Pogradeci në Shqipëri deri në Ohër në Maqedoni dhe presin që të marrin pjesë disa nga notarët më të mirë të rajonit e të botës. “Sporti mund të jetë ambasadori më i mirë për të gjithë rajonin. Nëpërmjet organizimit të përbashkët të një maratone të gjithë do të kontribuojmë ndaj përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe të pakësojmë tensionet rajonale”, tha për SETimes Nikola Malenko, sekretar i klubit të notit Ohridski Branovi (Valët e Ohrit) në Ohër. Malenkoja tha se sportistë shqiptarë kanë shprehur interes të madh që maratona të bëhet realitet, sepse nuk ka maratonë noti në Shqipëri. “Kjo veprimtari gjithashtu do të tërheqë gjithashtu shumë të ftuar të huaj. Do të jetë diçka e re për të gjithë ne që jetojmë përreth liqenit, veçanërisht për shtetasit e Shqipërisë”, shtoi ai. “Do të formojmë më pas një këshill të iniciativës, së bashku me Pogradecin dhe Strugën, për ta organizuar atë verën e ardhshme si një maratonë ndërkombëtare në të cilën do të marrin pjesë të gjitha qytetet përreth Liqenit të Ohrit. Në këtë mënyrë dëshirojmë të dërgojmë një mesazh të fortë për miqësi dhe bashkëpunim e që zëri i rajonit tonë të dëgjohet”, tha Koço Paskali, president i Ohridski Branovi. “Dëshirojmë që maratona të zhvillohet në qershor kur Maqedonia dhe Shqipëria do të njoftojnë fillimin e sezonit turistik”, tha Sasho Toçkov, notar i maratonave nga Ohri. Qyteti i Ohrit ka pasur maratonën e tij të notit përgjatë 27 viteve të kaluara – një segment prej 30 kilometrash nga kompleksi turistik i Shën Naumit deri në Ohër. Ajo maratonë është e vendosur në kalendarin e Federatës Botërore të Notit (FINA) dhe notarët e kanë vlerësuar si mes pesë më të mirave të botës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





