TIRANE, 1 qershor 2013 – Pragu i ndeshjes së 7 qershorit, Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Kampionati Botëror “Brazil 2014”, është më shumë se elektrizuese. Të gjithë kanë nisur të besojnë gjithnjë e më shumë për një kualifikim të mundshëm të kombëtares sonë, që drejtohet nga italiani Xhani De Biazi, në Botërorin e Brazilit, që do të ishte jo vetëm një rezultat historik, por, mbi të gjitha, edhe një dalje për herë të parë në finalet e tilla.

Atmosfera është e atillë sikurse në Tiranë të vinte jo vetëm Gjermania, apo dhe Anglia, po pse jo dhe Kampionët e Botës të Spanjës. Madje dhe kur ka luajtur Franca, më 2 shtator 2011, stadiumi nuk ka qenë i mbushur tej mase. Tashmë gjërat janë ndryshe, ka më shumë kërkesa për bileta dhe për të qenë në stadium, e pse jo dhe për të qenë pranë kuqezinjve, të cilët, edhe me mungesa, duhen ndihmuar për të marrë një tjetër fitore si më 22 mars 2013. Gjithsesi, edhe kur 14 vjet më parë, ka luajtur Norvegjia, përsëri stadiumi ka qenë plot, por atëherë nuk patëm fat, teksa u mundëm 2-1.

60 mijë kërkesa për bileta

Federata Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar se biletat për ndeshjen me Norvegjinë, e cila do të luhet më 7 qershor, në ora 20:30, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, do të dalin në shitje më 4 qershor. Çmimet e tyre janë të atilla 8000 lekë të reja në tribunën kryesore, 5000 lekë të reja në tribunat anash kryesores, 3000 lekë të reja D2, 2000 lekë të reja D1 dhe D3 dhe 500 lekë të reja C e E-ja.

Dhe pse janë çmime të kripura për xhepat e shqiptarëve, sidomos në këtë kohë krize të thellë financiare në të gjithë Botën, të gjithë duan të jenë të pranishëm në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, atë mbrëmje. Ndaj dhe drejt Federatës Shqiptare të Futbollit, të paktën sipas burimeve të sigurta, deri më tani kanë mbërritur mbi 60.000 kërkesa për bileta në një stadium që nuk mban më shumë se sa 18 mijë shikues.

Të gjitha institucionet shtetërore kanë dërguar kërkesa të shumta në FSHF, çka e detyron institucionin më të lartë të top-këmbës shqiptare që të bëjë një seleksionim të tyre. Që do të thotë se biletat për institucionet më të rëndësishme shqiptare, duke futur të gjitha Ministritë, Komisionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Gjykatën, Prokurorinë, Parlamentin, po pse jo dhe ambasadat do të bëhen me planifikim.

Bashkia gjen mënyrën…për tifozët

Bashkia e Tiranës, dhe mbi të gjitha drejtoria e Sportit dhe e Rinisë në kryeqytet, ka gjetur mënyrën për të përmbushur të gjitha kërkesat e tifozëve. Tashmë bëhet fjalë për të gjithë ato që nuk kanë mundësi të jenë në stadium, por që duhet ta mbajnë gjallë atmosferën në kryeqytet në atë ndeshje shumë të rëndësishme për kuqezinjtë, për sa i përket objektivave të skuadrës sonë për në Botërorin e Brazilit.

Dy ekrane të mëdhenj do të vendosen në pikat më të rëndësishme të kryeqytetit tonë Tirana; një te Pedonalja, atje ku jo vetëm në kohën e Kampionatit Evropian “Poloni&Ukrainë 2012”, por dhe në ndeshje të rëndësishme, ka shumë njerëz dhe tifoz që shohin ndeshjet, e një te sheshi “Nënë Tereza”. Kohë më parë, ekrane të tilla janë vënë përpara Bar “Tajvan-Parku Rinia”.

Dhe e gjithë ideja është që ata që janë në stadium, në përfundim të ndeshjes, gjithnjë nëse do të fitohet, apo do të barazohet, të bashkohen me ata jashtë për ta ndezur flakë të gjithë Tiranën. Pse jo si më 2004-ën, kur Shqipëria e Brigelit pat mundur 2-1 Greqinë e sapo shpallur Kampione e Evropës

Dhjetë shoqata tifozësh dhe flamuj gjigant

Shoqatat më kryesore të tifozëve, jo vetëm në Tiranë, Lushnjë e Durrës, por dhe nga Prishtina e Tetova, do të jenë të gjithë bashkë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, që të premten e ardhshme pritet të jetë i gjithi kuqezi.

Që nga Tifozët Kuq e Zi, mandej “Ballistët” e Tetovës, “Ujqërit e Dëborës” së Korçës, “Torcida” e Mitrovicës, “Tirona-Fanatics”, “Shvercerat” e Shkupit, “Plisat” e Prishtinës, “Arpagjirët” e Prizrenit, “Ultras Lagunar” të Lushnjes, apo dhe “Djemtë e detit” të Durrësit, të gjithë do të jenë bashkë.

Flamuj falas do të jepen për tifozët, por dhe flamuj gjigant dhe banderola priten të mbulojnë stadiumin atë ditë, duke e veshur të gjithë stadiumin kuqezi

Politikanët, në stadium dhe për fushatë

Edhe pse është gati dy javë përpara zgjedhjeve elektorale, në një kohë që fushata është në kulmin e saj dhe të gjithë janë turrur për të bindur popullin që t’i votojë, politikanët nuk kanë për të munguar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Madje mund të ketë dhe një garë, jo vetëm për të qenë prezent, por kush mund të bëhet më tërheqës ndaj tifozëve, ndonëse atje do të ketë dhe shqiptarë të Kosovës, apo shqiptarë të Maqedonisë.

Një ndeshje e kombëtares me Norvegjinë, sidomos nëse do të përfundojë dhe pozitivisht, atëherë mund të jetë një “pasaportë” e mirë për zgjedhjet. Aq më tepër që, që nga kryeministri Berisha e ka parë ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve, Bajern Mynih-Borusia e Dortmundit me sulmuesin e kombëtares, Erjon Bogdani. Por të njëjtën gjë mund të bëjnë dhe opozitarët. Kështu që politikanët do të jenë të shumtë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, më 7 qershor, do të jenë të shumtë, jo vetëm për ndeshje, por dhe për fushatë.