Më në fund Federata Shqiptare e Futbollit, ka njoftuar edhe të gjithë tifozët dhe të interesuarit se shitja e biletave për ndeshjen Shqipëri – Norvegji do të fillojë më datë 4 qershor në pikat e shitjes në Tiranë, pikërisht në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Ndeshja e vlefshme për botërorin 2014, do të zhvillohet më 7 Qershor 2013, ora 20:30 ndërsa shitja e biletave nis vetëm tre ditë para.

 

 

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e biletave për ndeshjen janë:

· Tribuna Qendrore A+B, kat.1 8.000 lekë

· Tribuna Qendrore A+B, kat.2 5.000 lekë

· Tribuna D2 3.000 lekë

· Tribunat D1 & D3 2.000 lekë

· Tribunat C dhe E 500 lekë

Mësohet se data e vonuar e daljes në treg të biletave lidhet me mbrojtjen që FSHF do t’i bëjë publikut dhe tifozë të shumtë nga “tregu i zi”, pra, nga ata abuzues që i blejnë biletat me qëllimin e vetëm për t’i rishitur ato me çmime më të shtrenjta, megjithëse mund të thuhet se çmimi i biletave është mjaftueshëm i kripur.

Çdo biletë ka të shtypur mbi të çmimin dhe çdo vlerë tjetër e ndryshme nga ajo mbi biletë është një abuzim që, sipas FSHF-së, duhet denoncuar pranë organeve kompetente.

Gjithashtu, autoriteti kombëtar i futbollit sugjeron që të gjithë tifozët të jenë shumë të kujdesshëm edhe ndaj fenomenit të falsifikimit të biletave. Rezulton se biletat e prodhuara nga FSHF do të kenë elemente sigurie të dukshme dhe padukshme me sy të lirë.

“E vetmja mënyrë për t’u siguruar nëse biletat janë të rregullta, është kontrolli me pajisje të veçanta në hyrjet e stadiumit. Nisur nga kjo, këshillojmë të gjithë të interesuarit të blejnë bileta vetëm në pikat zyrtare të shitjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit.