9 shkurt 2015 –  Për shkak se transparenca gjithnjë e më shumë po zëvendësohet me demagogji e propagandë, shqiptarët si qëmoti kanë filluar të mësojnë nga mediat e huaja se ç’bëhet në vendin e tyre. Kjo histori filloi me armët kimike të Assadit dhe po vazhdon deri më sot. Rastet më të fundit janë letra e Kryeministrit Tsipras për Kryeministrin Rama që e mësuam nga gazeta greke"I Kathemirini" dhe aspekte të veprimtarisë në territorin shqiptar të xhihadistëve të Kalifatit Islamik, që po i mësojmë nga mediat italiane.

Nga një artikull i botuar në gazetën italiane, "Il Giornale" mësuam se xhihadistët e Kalifatit Islamik kanë përcaktuar si një nga objektivat e tyre më të rëndësishme afatshkurtra, kapjen e pengjeve perëndimore, me qëllim që t’i ekzekutojnë në mënyra spektakolare (prerje kokash, vrasje me gurë apo djegie për së gjalli).

Një nga metodat që priten të përdoren nga komandot xhihadiste është edhe veshja me uniformave ushtarake amerikane të xhihadistëve që e kanë gjuhë të nënës, anglishten e variantit amerikan. Praktikisht kjo metodë është një kopje e përmirësuar e trupave speciale të kolonelit Oto Skorcen të përdorur me sukses maksimal kundra amerikanëv,e në ofensivën e Ardeneve në dhejtor 1944. Sipas Il Giornale në Shqipëri është sekuestruar një sasi uniformash amerikane, të cilat po kontrabandoheshin për në Turqi me qëllim final për të mbërritur në duart e kasapëve të Kalifatit Islamik. Shqipëria edhe në këtë rast shërben si shtrat i ngrohtë për të tillë veprimtari terroristësh. Sot jemi deri këtu, nesër larg qoftë mund të përsëriten rrugëve të Tiranës skenat, që ndodhën pak më parë rrugëve të Parisit. Kush na garanton se nuk do të ndodhë kështu? Askush!

Qeveria Rama edhe në këtë rast ka mbajtur heshtje absolute. Kur edhe për një hajdut xhepash të arrestuar nga policia, edhe për 2-3 kv kafe të kapur kontrabandë njoftohen me vrap mediat, madje në ndonjë rast mediave të privilegjuara u ofrohen edhe DVD-të me aksionet e policisë, në rastin e këtyre uniformave amerikane mbahet sekret absolute.

Pse vallë? Pse duhet, që shqiptarët ta mësojnë të vërtetën nga mediat italiane? Pse duhet, që shqiptarët të presin, kur amerikanët t’ia rrjedhin informacionin (to leak) mediave italiane për të mësuar se c’ndodh në Shqipëri? Fundi i fundit a ia vlen të kopjohen në kuazi-demokraci metodat e diktaturës? A ja vlen që shqiptarët edhe një herë në mënyrë masive të fillojnë të dëgjojnë "Zërin e Amerikës" si në verën e vitit 1990, kur radiot Iliria në Plazhin e Durrësit sintonoheshin masivisht te VOA, kur ishte orari i emisionit të lajmeve? Kur zhurmuesit nuk funksionuan 3-4 dekada më parë në diktaturë, sa shanse ka të funksionojnë në demokraci? Vallë, gurutë e huaj të marrëdhënive me publikun nga Skocia në Lece, që mirëpagohen deri në hajdutllëk, të tilla këshilla idiote i paskan dhënë Qeverisë Rama?!

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/