6 tetor 2015 – Atmosfera në qytetin e Durrësit para ndeshjes Shqipëri-Serbi, e vlefshme për paraeleminatoret e Europianit Francë 2016, duket se është elektrizuar. Në ajër ndjehen ethet e pritjes, ndërsa gjithçka që ka të bëjë me aksesorët kuqezi, ka njohur interes shumë të madh në pikat e tregtisë.

Në tregun industrial vëmendje të veçantë qytetarët i bëjnë blerjes së aksesorëve me simple kuqezi. Tregtari thotë se këto janë ditët e blerjeve dhe klientët janë të shumtë, vendas dhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Kanë apo nuk kanë mundësi ta ndjekin ndeshjen në stadium, gjithsecili kërkon të ketë diçka gjatë kohës që ndjek ndeshjen. Shajet, flamujt dhe kapelet që variojnë nga 500 deri në 1500 lekë janë më të shiturat. Por tani në vjeshtë kanë blerë edhe bluzet me mëngë të gjata që kanë të stampuar simbolin tonë kombëtar, shqiponjën dykrenare dhe kompletet sportive”, thotë Kujtimi, një prej tregtarëve.

Moshat janë të ndryshme. Trë të rinj morën bluze dhe flamuj, ata jetojnë në Londër, dhe para se të largohen morën simbolet kombëtare.

“Nuk kemi mundësi ta shikojmë këtu, sepse largohemi për në vendet e punës. Do ta ndjekim atje dhe me interes të madh, për fitoren e Shqipërisë. Një flamur i kuq në Londër, na bën të dukemi sikur jemi në stadium në Elbasan”, thonë emigrantët.

Shaje, topa kapele, flamuj janë aksesorët tradicionalë. Por këtyre u janë shtuar edhe bluzet me mëngë të shkurtra e të gjata, madje komplete sportivë të stampuar me simbolet kombëtare. Edhe ata që nuk kanë mundësi të shkojnë në stadium do të mbushin baret dhe lokalet për të ndjekur ndeshjen e 8 tetorit. 

/K.H. portali DurresLajm/