Përfundimisht do të luhet. Vendimi është i FIFA-s dhe në këtë moment, pak i mbetet për të bërë Ukrainës, që nëpërmjet trajnerit të kombëtares, Andrij Shevcenko kishte vënë publikisht në dyshim realizimin e miqësores me Shqipërinë në program pasditen e 3 qershorit, duke shfaqur pakënaqësi në lidhje me kushtet dhe kapacitetin e stadiumit në Evian të Francës.
Pas shfaqjes së pakënaqësive nga ana e Ukrainës, Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një qëndrimi zyrtar të menaxherit të ekipeve Kombëtare, Kejdi Tomori bëri të ditur se do të respektonte kontratën me agjensinë që ka marrë përsipër organizimin e ndeshjes dhe do të ishte në Evian sipas programit të paracaktuar.
Tanimë me FIFA-n, që në rolin e një organi sipër palëve ka dhënë bekimin që ndeshja të luhet në qytezën në kufirin mes Francës dhe Zvicrës, dhe pikërisht në stadiumin e paracaktuar, pak ngelet për të bërë për Ukrainën, që i duhet të respektojë marrëveshjen duke u paraqitur për miqësoren me Shqipërinë, ose në të kundërt rrezikon të përballet me një gjobë të majme për mosrespektimin e kontratës. Takimi mes Shqipërisë dhe Ukrainës do të luhet këtë të dielë në orën 16.00.





