Përballjet mes Shqipërisë dhe Zvicrës kanë përherë një shije të veçantë në futbollin e meshkujve, por të tilla mund të rezultojnë edhe ato të femrave. Kjo për vetë faktin se në përfaqësueset zvicerane bëjnë pjesë plot sportistë shqiptarë.I tillë është rasti i Florijana Ismailit, 22-vjeçares me origjinë nga Presheva e cila përfaqëson Zvicrën. Mesfushorja me tipare sulmuese do të ndeshet me Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Francë 2019”.Ndërkohë, për ngjyrat kuqezi luan Saranda Hashani, 20-vjeçarja e lindur në Zvicër, ku edhe vazhdon karrierën.

“Për mendimin tim, është një grup interesant. Skocia dhe Polonia janë kundërshtaret më të vështira, kurse Shqipëria është pa dyshim një risi speciale për Zvicrën. Një përzierje e veçantë në futbollin e meshkujve, por që deri tani ka munguar te femrat”, deklaroi trajnerja e përfaqësueses zvicerane, Martina Vos-Teklenburg, pas shortit të hedhur sot në Nion që i vendosi dy ekipet në Grupin 3 së bashku me Bjellorusinë, Poloninë dhe Skocinë.