Tiranë 5 Shkurt 2014 – Qeveria ka bërë realitet juridik nismën e saj për të dhënë kategori të caktuara të pasurisë shtetërore me kontrata qiramarrjeje prej 1 uro. Përmes një vendimi të marrë sot për dhënien me qira, apo me enfiteozë të pasurive shtetërore, janë përcaktuar rregullat dhe kriteret e zbatimit të këtij premtimi, i cili në fakt, u vu në zbatim së pari nga qeveria e shkuar. “Pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, u jepen të tretëve edhe me kontrata qiraje, me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave. Kur, pas përfundimit të procedurave të konkurrimit, rezulton fitues një subjekt i cili propozon që në pasurinë shtetërore që jepet me qira do të zhvillohen  aktivitetet, si:  

a) veprimtari prodhuese industriale në nivele investimi mbi 10 milionë euro;

b) veprimtari prodhuese të regjimit “FASON”;,

atëherë, në këtë rast, institucioni që zhvillon procedurën dhe që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit shtet për pasurinë i propozon Këshillit të Ministrave lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 (një) euro/kontrata”, thuhet në vendimin e qeverisë. Po kështu në funksion të nxitjes së biznesit për sipërfaqet mbi 200m2 “vlera e detyrimit mujor rillogaritet me zbritje, kur subjekti që ka marrë me qira ose enfiteozë, vërteton në llogaritë financiare vjetore të tij se ka kryer investime në pasurinë e marrë me qira ose enfiteozë për përmirësimin e saj, si dhe për blerje e instalim linjash, makinerish e pajisjesh në vlerat, si më poshtë vijon: Investime mbi 50 milionë lekë, zbritja është  10 % ; Investime mbi 80 milionë lekë, zbritja është  20 % ; Investime mbi 100 milionë lekë, zbritja është 30 %;  Investime mbi 150 milionë lekë, zbritja është 40 % “. E gjithë fryma e vendimit lidhet më shumë me funksionalizimin e pronave në aktivitete biznesi me qëllim punësimin. Madje kjo thuhet që në pikat e para të vendimit, i cili sanksionon qartë se kur quhet i vlefshëm konkurrimi, për kontratat e qerasë: “Kriteret e konkurrimit për dhënien me qira të pasurisë shtetërore janë, si më poshtë vijon: Niveli i investimit; Niveli i punësimit; Oferta e detyrimit mujor të qirasë”. Ky akt ka vjen vetëm një javë pasi qeveria shqiptare i hoqi Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 18 000 ha sipërfaqe bujqësore, që dikur kanë qenë pronë e instituteve bujqësore, e që ishin destinuar për kompensimin e pronarëve. Që bëhet fjalë edhe për këtë pasuri këtë e vërteton, fakti se këtë transferim, qeveria e bëri drejt Ministrisë së Bujqësisë, duke i përcaktuar kësaj të fundit edhe bazën ligjore të administrimit të pasurisë që merr. Kjo bazë është ajo që rregullon dhënien me qira ose koncesion të pasurive shtetërore. Dhe së fundmi edhe vendimi i sotshëm sqaron se për cilat hapësira apo objekte bëhet fjalë: “ndërtesat, sipërfaqet funksionale (jo nën ndërtesë), trualli i lirë, makineritë e pajisjet e linjat e prodhimit të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital 100 për qind shtetëror. Pasuritë shtetërore, që jepen me enfiteozë janë vetëm pasuritë e paluajtshme të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve dhe shoqërive shtetërore”.

Vendimi i plotë në: http://kryeministria.al/al/newsroom/vkm/vendime-te-keshillit-te-ministrave-miratuar-ne-mbledhjen-e-dates-5-shkurt-2014&page=1