Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një takim në New York me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas -Greenfield.
Ambasadorja Greenfield vlerësoi mbështetjen humanitare që Shqipëria ka ofruar për qytetarët afganë, si dhe siguroi bashkëpunimin “me një aleat e partner të vyer si Shqipëria”, gjatë mandatit të ardhshëm të vendit tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Një takim i shkëlqyer sot me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Greenfield! Bisedë përmbajtësore dhe e frytshme për një sërë çështjesh në të cilat vendet tona po punojnë ngushtë së bashku. Mirëpres thellimin e bashkëpunimit me miqtë dhe partnerët tanë strategjik gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, bëri me dije ministrja Xhaçka pas takimit.





