Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati: Falë TAP-it, Shqipëria do të bëhet një prej përdoruesve të gazit natyror të detit Kaspik. Rëndësia në rritje e Kaukazit Jugor, roli i tij i rëndësishëm në diversifikimin e furnizimit me energji të Evropës, ndikon pozitivisht mbi sigurinë e rajoneve të tjera, veçanërisht në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit

 BAKU, 26 tetor 2013 – Sikurse njofton agjencia e telegrafike shtetërore azerbajaxhanase “AzerTAc”, qeveria shqiptare njeh tërësinë tokësore të Azerbajxhanit, mbështet zgjidhjen e konfliktit për Nagorni-Karabakun midis Armenisë dhe Azerbajxhanit vetëm në rrugë paqësore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe tërësisë tokësore të Azerbajxhanit, i bën thirrje Armenisë të tërheqë forcat e saj të armatosura nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit. Këto mendime janë janë shprehur në një intervistë të Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhënë përfaqësuesve të Shoqatës Evropiane-Azerbajxhanase lidhur me qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë ndaj konfliktit për Nagorni-Karabakun. Bie në sy se kjo intervistë nuk është pasqyruar nga sajti i MPJ-së, ku lajmi më i freskët me Azerbajxhan i takon datës 7 tetor 2013, kur Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi më 7 tetor 2013 një takim kortezie me Ambasadorin e Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë, Rahman Mustafayev me rezidencë në Athinë (në foto).

INTERVISTA

– Këshilli i Sigurimit i Organizatës se Kombeve të Bashkuara ka dënuar pushtimin e Nagorni-Karabakut dhe shtatë rajoneve kufitare të Azerbajxhanit, si dhe në disa rezoluta të miratuara nga OKB-ja kërkohet tërheqja e menjëhershme e forcave të armatosura të Armenisë nga këto territore. A i mbështetesni këto rezoluta?

– Republika e Shqipërisë mbështet pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare që ka të bëjë me faktin se Nagorni-Karabaku është një pjesë e pandashme e Republikës së Azerbajxhanit. Ne mbështesim plotësisht këtë pozicion, që bazohet në të drejtën ndërkombëtare.

– Për më se njëzet vjet  20 për qind e territorit të Azerbajxhanit është nën pushtimin e forcave të jashtme. Si rezultat i politikës së okupimit të Armenisë më shumë se një milion refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit nuk mund të kthehen në tokat e tyre amtare. Kjo do të thotë se Azerbajxhani është vendi me numrin më të madh në botë të personave të zhvendosur brenda vendit. Do të donim të njiheshim me qëndrimin tuaj ndaj parimit të tërësisë tokësore të njërit prej partnerëve tuaj lindorë, gjithashtu dhe ndaj të drejtave dhe fatit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur forcërisht.

– Çështja e tërësisë tokësore, si një nga parimet e pasqyruara në Kartën e Orgnizatës së Kombeve të Bashkuara, tani është një nga pjesët më të rëndësishme të rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Bazuar në frymën dhe tekstin e Kartës, Shqipëria beson fuqimisht se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin e Nagorni-Karabakut sipas së drejtës ndërkombëtare është e mundur nëpërmjet rrugës paqësore dhe negociatave. Së bashku me partnerët dhe miqtë tanë në OSBE dhe Bashkimi Evropian jemi të gatshëm të bëjmë përpjekje për një zgjidhje të menjëhershme të këtij konflikti. Gjithashtu e kuptojmë se zgjatja e zgjidhjes së konfliktit ndikon negativisht në fatin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit. Kjo kushtëzon domosdoshmërinë e një rregullimi sa më të shpejtë të konfliktit. Duhet dënuar çdo hap që pengon përpjekjet e palëve për zgjidhjen e problemit në rrugë paqësore.

– A do të gjejë pasqyrim të gjerë partneriteti i ngushtë politik dhe ekonomik i Azerbaixhanit me Evropën, si dhe me Perëndimi në mbështetjen, që i është dhënë Bakusë zyrtare lidhur me rivendosjen e tërësisë tokësore të vendit?

– Rëndësia e veçantë që i jep Shqipëria rajonit, më së shumti lidhet me rëndësinë strategjike të Kaukazit Jugor. Gjithmonë e më tepër po rritet roli këtij rajoni në sigurimin e nevojave energjetike të Evropës. Falë zbatimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), Shqipëria do të bëhet një prej përdoruesve të gazit natyror të detit Kaspik. Rëndësia në rritje e Kaukazit Jugor, roli i tij i rëndësishëm në diversifikimin e furnizimit me energji të Evropës, ndikon pozitivisht mbi sigurinë e rajoneve të tjera, veçanërisht në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Prandaj konsiderojmë se të gjitha palët që lidhen me rajonin, janë të interesuara në zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit të Nagorni-Karabakut në bazë të së drejtës ndërkombëtare .

– Pavarësisht bisedimeve në kuadër të Grupit të Minskut të OSBE-së, procesi i zgjidhjes së konfliktit mbetet i ngrirë. Është e dmosdoshme një pjesëmarrje më aktive e vendeve evropiane në proces. A jeni gati të luani një rol intensiv në zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me rrugë paqësore, si dhe të ndërmerrni nisma në përputhje me interesat e Evropës?

– Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë – gjatë më se 20 vjetëve – për t’u integruar në Evropë. Kjo rrugë gjithashtu na detyroi të vlerësojmë rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare. Ne jemi të bindur se shtetet mund të arrijnë sukses vetëm duke përmbushur seriozisht kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare në formatin e OKB-së apo në forma të tjera  bashkëpunimi. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar disa rezoluta që kanë të bëjnë me konfliktin e Nagorni-Karabakut dhe në këto rezoluta kërkohet tërheqja e forcave të jashtme nga territoret e pushtuara. Shqipëria mbështet këtë kërkesë dhe i bën thirrje Armenisë të tërheqë menjëherë forcat e saj të armatosura nga Nagorni-Karabaku dhe shtatë rajonet kufitare.

Info

Në vitin 2007, kur ministër i Punëve të Jashtme ishte Lulzim Basha dhe Ministër i Mbrojtjes Fatmir Mediu, plasi një konflikt diplomatik midis Tiranës dhe Bakusë. Turqia ktheu mbrapsht një anije me 60 kontejnerë me armë shqiptare të destinuara për ushtrinë armene. Ngjarja mori përmasa ndërkombëtare, pasi mendohej se arsenali shqiptar do të përdorej në Nagorni-Karabak, ku po vazhdonin luftimet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë. Protesta e ashpër e ministrisë së Jashtme azerbajxhanase detyroi Bashën të kërkojë falje, duke premtuar se nuk do të përsëriteshin raste të tilla të eksportit të armëve për palë në konfikt.

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, zhvilloi më 7 tetor 2013 një takim kortezie me Ambasadorin e Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë, z. Rahman Mustafayev. Ambasadori Mustafayev, pas urimit për detyrën, shprehu vlerësimet e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe rëndësinë e thellimit të tyre përtej bashkëpunimit të frytshëm ekonomik e tregtar. Nga ana e tij, Ministri Bushati theksoi rëndësinë e vendimit strategjik të gazsjellësit TAP, jo vetëm si një mundësi e madhe për ekonominë shqiptare dhe përfshirjen e vendit tonë në rrjetin ndërkombëtar të gazsjellësve, por edhe në krijimin e një atmosfere sigurie dhe bashkëpunimi në rajon. Bashkëbiseduesit vlerësuan ecurinë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht ftesën për një vizitë zyrtare në Shqipëri të Presidentit të Republikës së Azerbajxhanit, z. Ilham Aliyev, dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme z. Elmar Mamadayarov.

 

/për. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/