Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me raportin e “Raporterëve Pa Kufij” për lirinë e mediave në Shqipëri.
Me anë të një statusi në Facebook, Basha shkruan se nismat që ka ndërmarrë qeveria kanë përkeqësuar lirinë e medieve në vend, duke bërë që Shqipëria të bjerë dy vende në renditje.
“Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë më poshtë në indeksin e lirisë së medias! Kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike. Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive,”– shkruan Basha.
POSTIMI I PLOTË:
Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë më poshtë në indeksin e lirisë së medias! Kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike. Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive, ai përditë largon gjithnjë dhe më shumë vendin dhe shqiptarët nga standartet europiane. Censura, dhuna dhe autocensura në një vend që pret për antarësim në Bashkimin Europian, i shtohen panoramës së hidhur të krimit dhe korrupsionit që kjo qeveri servir në tryezën e ligjvënësve europianë.
Sot Reportët pa Kufij kanë publikuar raportin dhe vendi ynë ka humbur dy pozicione nga viti i kaluar. Paketa anti-shpifje ka ndikuar në rënien me dy vende në indeksin e lirisë së medias.





