Më 17 Dhjetor Shqipëria hap një tjetër kapitull të negociatave me Bashkimin Evropian. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca hungareze e Këshillit të Europës. Përmes një postimi në “X”, njoftohet se është dhënë aprovimi për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare me vendin tonë.

“Ambasadorët kanë miratuar gjithashtu qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor. IGC e javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit me vendet kandidate”, thuhet në njoftim.