Në këtë njëqind vjetor të pavarësisë shqiptare, besoj se një prej urgjencave kryesore nga ana politike dhe mediatike është ajo që t’i hapen sytë popullsisë mbi pozicionin e vërtetë të Shqipërisë përballë Europës dhe  botës. Personalisht, jam shumë e shqetësuar kur shikoj se shumë, tepër njerëz nuk kanë akoma idetë e qarta mbi faktorët e jashtëm që kushtëzojnë situatën politike, ekonomike dhe sociale të këtij vendi.

Jam e shqetësuar sepse shumë pensionistë besojnë se “pas 30 apo 40 vitesh” fëmijët e tyre do të kenë pensione dhe asistenca shtetërore më të larta se të tyret, duke demonstruar kështu se nuk kanë idenë minimale të asaj çfarë po ndodh në Greqi, në Itali dhe në të gjithë Europën, ku sistemi i pensioneve po falimenton dhe ka qenë një prej arsyeve përcaktuese të krizës ekonomike. Jam e shqetësuar sepse burra që kanë fëmijë dhe menaxhojnë aktivitete private mbesin të habitur kur bankat i pengojnë ata të tërheqin të gjitha kursimet e tyre menjëherë, duke treguar kështu një injorancë totale për sistemin e kreditit dhe atë financiar. Jam e shqetësuar sepse persona të rritur, të cilët kanë jetuar jashtë shtetit, habiten për indiferencën e mediave të huaja për ngjarjet e 21 janarit, duke treguar se nuk kuptojnë se Shqipëria është pranë hyrjes në BE dhe prandaj duhet paraqitur si një vend absolutisht i civilizuar dhe i qetë. Jam e shqetësuar sepse shumë njerëz të mirë janë të bindur se janë të qeverisur nga politikanë aq“diabolikë” e “dinakë” saqë imponojnë pushtetin e tyre pavarësisht nga vullneti i Amerikës dhe i Europës, dhe se janë pasuruar duke mashtruar deri edhe institucionet ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri. Jam e shqetësuar sepse shumë idealistë, të cilët nga perspektiva e tyre kanë absolutisht të drejtë, janë të etur për bashkimin mes Tiranës dhe Prishtinës, pa pyetur megjithatë se me çfarë do të jetonte në të ardhmen një Shqipëri Etnike e formuar nga dy shtete të varfra dhe të mbipopulluar, ku të ardhurat e vetme janë dërgesat e kursimeve të emigrantëve dhe kreditë nga ana e vendeve të huaja.

Më duket një panoramë mjaft e zymtë për dy arsye: e para është se të vjen keq kur shikon shumë njerëz që ëndërrojnë dhe pastaj mbesin thellësisht të zhgënjyer, pa e kuptuar motivin; dhe e dyta është se, pas njëzet vitesh të hapjes ndaj botës, emigracionit masiv dhe televizionit satelitar-dixhital të turbullon fakti se shumë shqiptarë nuk arrijnë të vendosin situatën e vendit të tyre në kontekstin global të botës së sotme.

Po, “bota”… besoj se pikërisht koncepti shqiptar i “botës” është një prej shkaqeve të kësaj mungese kontekstualizimi të ngjarjeve. “Obobo, çfarë thotë bota?” është një prej frazave të para që çdo i huaj mëson në Shqipëri. Por kjo “bota” nuk është planeti tokë, jo, është thjesht vetëm lagjja apo fshati apo rrethi i ngushtë i personave që na njohin. Dhe kështu si “opinion” që ka rëndësi është pikërisht vetëm ai i “botës” së vogël, në mënyrë të ngjashme edhe horizonti i interesave dhe i kuriozitetit mbyllet në kufirin e asaj “bote”. Akoma në vitet Dyzetë, përpara shkollimit masiv realizuar nga komunizmi dhe përhapjes së hartave gjeografike të Shqipërisë në të gjitha zyrat publike, njerëzit e maleve dhe fushave injoronin kufijtë e vendit, për të mos folur për ekzistencën e të tjera kombeve dhe kontinenteve…

Duke njohur interesat e lexuesve dhe telespektatorëve të tyre, mediat shqiptare “ushqejnë”publikun me argumente të natyrës lokale: shumë kronikë, një dozë të padurueshme thashethemesh politike (sepse kjo janë) dhe ndonjë faqe kulturore mbi tematika shqiptare, që përsëriten ciklikisht dhe rrallë ballafaqohen apo lidhen me tematika analoge të kulturave të huaja. Politikës së jashtme i kushtohet pak vëmendje, gati gjithmonë e kufizuar në çështjet nacionaliste të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa ngjarjet lidhur me vende të tjera përshkruhen me tone propagandistike – Amerika “e mirë”, Greqia “e keqe” që meriton krizën, Italia e Berlusconit edhe ajo “e keqe”, revolucionet në botën arabe që do të duhej të frymëzonin një revolucion edhe në Shqipëri…

Gjynah, shqiptarët do të meritonin një informacion më të përpunuar, kritik dhe realist.

Një krahasim me Italinë e së shkuarës

Problemi i “gropës” mediatike për ngjarjet botërore është një plagë klasike e vendeve me mentalitet të mbyllur e provincial. Jo më kot, mungesa e informacionit dhe e krahasimit me pjesën tjetër të botës ka qenë gjithnjë një karakteristikë e mass-mediave edhe në Itali. Në të shkuarën, gazetat dhe lajmet televizive i kushtonin vëmendje minimale politikës së jashtme dhe ecurisë së ekonomisë globale. Informacioni përqendrohej plotësisht mbi politikën e brendshme, mbi ekonominë kombëtare dhe mbi probleme të mafias, me rezultatin që breza të tërë kanë jetuar duke menduar se e mira dhe e keqja e Italisë vinte vetëm nga brenda dhe se fati i vendit varej ekskluzivisht nga veprimtaria e Parlamentit të Romës dhe nga plotfuqia e kriminalitetit të organizuar.

 

Besoj se një prej urgjencave kryesore nga ana politike dhe mediatike është ajo që t’i hapen sytë popullsisë mbi pozicionin e vërtetë të Shqipërisë përballë Europës dhe  botës. Personalisht, jam shumë e shqetësuar kur shikoj se shumë, tepër njerëz nuk kanë akoma idetë e qarta mbi faktorët e jashtëm që kushtëzojnë situatën politike, ekonomike dhe sociale të këtij vendi.

Masat popullore besonin se Democrazia Cristiana fitonte gjithmonë zgjedhjet “sepse Italia është një vend katolik dhe tradicionalist” ose “sepse në Sicili dhe në Jug mafia shtrëngon njerëzit për të votuar kështu”. Askush nuk pyeste veten KUSH e financonte Democrazia Cristiana dhe kishte interes për ta mbajtur në pushtet. Askush nuk pyeste veten KUSH sponsorizonte fushatat elektorale të partisë që ka qeverisur Italinë për 50 vjet me radhë. Askush nuk pyeste veten KUSH vepronte – nëpërmjet shkollës dhe mediave – për të ruajtur në Itali një mentalitet konservator dhe mosbesues ndaj partive të majta. Askush nuk pyeste veten KUSH lejonte mafian të kushtëzonte procesin e zgjedhjeve.

Masat popullore besonin se mafia dhe kriminaliteti i organizuar ishin “të pamundshëm” ose që mungonte vullneti politik (italian) për t'i ç'rrënjosur. Askush nuk ishte i aftë për të inkuadruar fenomenin në dimensionin e tij ndërkombëtar. Askush nuk kuptonte rëndësinë botërore të trafikut të drogës dhe armëve që mafia sigurisht nuk i menaxhonte në Sicili – ku kishin mbetur vetëm katër ushtarë analfabetë dhe jo “kupola” imagjinare si në filma me cilësi të ulët! – por në vende shumë të largët dhe shumë të fuqishëm. Askush nuk pyeste veten KUSH detyronte Italinë veriore për të paguar taksat speciale për të ndihmuar ekonominë e Jugut dhe për të parandaluar që banorët e tij të emigronin jashtë shtetit (a e gjeni dot se ku?). Askush nuk pyeste veten se KUJT i interesonte të mbante kontrollin strategjik të Italisë jugore, pra çelësi i Mesdheut. Askush nuk kuptonte KUSH konsideronte mafian si një fenomen “i nevojshëm” dhe “ekuilibrues” për Italinë, me qëllimin e dyfishtë të kufizimit të kërcënimit komunist dhe të garantimit të punësimit në të zezë apo ilegal në një Jug të sëmurë nga papunësia kronike. 

Masat popullore besonin se ekonomia e vendit mbahej mbi punën e lodhshme të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, mbi artizanatin dhe mbi turizmin. Askush nuk pyeste veten KUSH promovonte jashtë shtetit “Made in Italy”; KUSH, me një marketing të shkathët, ka bindur tërë botën se prodhimet italiane ishin më të mirat; KUSH ka stimuluar eksportin italian, duke lejuar të shesë verë, makarona, veshje, këpucë dhe mobilie italiane me çmime stratosferike në të gjithë vendet perëndimore. Askush nuk pyeste veten KUSH i bënte reklamë Italisë si destinacion turistik për të huajt e gjithë botës; KUSH lejonte ekonominë perëndimore të mbante një standard mjaft të lartë për të mundur të udhëtonte dhe të konsideronte turizmin – dhe pra një vizitë në Itali – si një lloj “e drejte sociale”.

Nga ana e tyre, politikanët italianë dëshironin të dukeshin të pavarur dhe “të fortë” në vendimet e tyre, dhe prandaj nuk ndihmonin popullin të kuptonte realitetin e situatës – nuk është kurrë e bukur të pranosh se je një koloni e mbajtur nga dikush tjetër për arsye interesi, apo jo? Dhe kështu populli italian ishte i bindur se jetonte në një vend “të pasur por problematik”, “shumë të bukur por të pafat”, pa e kuptuar se mirëqenia ishte artificiale, ashtu si të gjitha teatrot e politikës së brendshme. Njerëzit ishin aq “të droguar” pas politikës së brendshme saqë nuk shihnin rëndësinë epokale të rënies së Murit të Berlinit: vetëm pak tru funksionues kuptonin se Italia kishte humbur interesin e saj strategjik si “shtet-jastëk” dhe prandaj Amerika do të bllokonte financimet, duke braktisur gadishullin e pizza në një krizë ekonomike në rritje.

Duhen hapur sytë dhe me qenë realistë

Shqipëria ka patur fatin të dalë nga izolimi në një moment kur sistemi mediatik ndërkombëtar po hapej, ndërsa sot, falë internetit, kushdo mund të marrë informacione të çdo lloji. Për më tepër, shqiptarët kanë fatin se janë poliglotë dhe mundin të lexojnë lehtësisht gazetat dhe websitet e çdo vendi. Përkundrazi, për Italinë, rruga e “realizmit gjeopolitik” ka qenë shumë më e komplikuar. Por nuk kanë munguar kurrë shembuj të vetëdijes, si elita që lexonte të përditshmen franceze “Le Monde” sepse kishte dymbëdhjetë faqe të politikës së jashtme të mirë thelluara, ose familjet dhe mësuesit të cilët ftonin adoleshentët që të lexonin gazetat duke u përqendruar më shumë mbi temat e jashtme sesa në ato italiane, ose studentët që blinin “Le Monde Diplomatique” e përkthyer në italisht, deri tek të apasionuarit e revistave gjeopolitike si “Limes”, “Imperi” dhe “Eurasia”, që i kanë hapur sytë shumë njerëzve.

Edhe në Shqipëri do të nevojitej një injektim masiv realizmi, që do të thotë “kuptimi i realitetit të botës së jashtme për të kuptuar më mirë tëndin”. Në këtë pikë gjithçka do të ishte e qartë dhe nuk do të kishte më as iluzione as zhgënjime. Do të ishte e qartë se, kur pensionet shkurtohen në vendet ku ato ishin konsideruar si e drejtë parësore, është e sigurt se në Shqipëri nuk do të rriten kurrë. Do të ishte e qartë se bankat janë sisteme piramidale pak më të rafinuara sesa Vefa dhe Xhaferri dhe që, brenda pak kohe, formularët bankarë do të jenë të komplikuar si ato perëndimorë dhe do të duhet të llogariten vetë interesat, dhe ndoshta do mund të përdoren vetëm bankomatet dhe kartat e kreditit, për inat të kujt gropos akoma lekët në oborr. Do të ishte e qartë se incidentet e 21 janarit  ngjajnë shumë me ato të G8 të Genova në 2001, me tensionin e krijuar artificialisht, vdekja mes manifestuesve, e gjithë përgjegjësia shkarkuar mbi forcat e rendit dhe në fund heshtja. Do të ishte e qartë se, nëse disa politikanë shqiptarë janë pasuruar në mënyrë abuzive, është për arsye se ata përfaqësojnë interesat e dikujt që fiton më shumë se ata nga mbajtja e situatës shqiptare kështu siç është. Dhe do të ishte e qartë se ëndrra e Shqipërisë Etnike është shumë e kushtëzuar nga situata ekonomike: a mundin dy persona të martohen nëse që të dy janë të papunë e pa asnjë lek në xhep?

Çdo gjë që ndodh në Shqipëri ka një pasqyrë në botën e jashtme: mjafton të informohemi dhe të bëjmë krahasimet e duhura, pa u kënaqur pasivisht me propagandën dhe me thashethemet e televizioneve dhe gazetave vendore. Duhet të kërkohet më shumë realizëm.