Nuk ka më aludime. Në Europianin e Francës do të jenë edhe tifozët nga Kosova. Nëse deri dje kishte kushtëzime të qarta, të posedoje pasaportë shqiptare, ose të ishe rezident në Shqipëri, që të kishe të drejtën për të aplikuar në “dyqanin online” të UEFA-s për bileta, kjo gjë ka ndryshuar sot, ditën e parë të daljes në shitje të 800 mijë biletave për finalet e “Euro 2016”.
Nëse shkon te prenotimi i biletave në faqen zyrtare të UEFA-s, të del edhe ky shënim: “Duhet të jesh me kombësi kosovare, ose shqiptare, që jeton në Kosovë, ose Shqipëri, për të aplikuar për bileta”.Pra, të drejtën për të blerë një biletë për ndeshjet e kombëtares shqiptare e kanë edhe shtetasit kosovarë, çka bën në fakt unifikimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan në një, kur vjen fjala për kombëtaren e futbollit.