TIRANË- Shqipëria dhe Vatikani do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme të shëndetësisë, si mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor dhe trajnim stafi, etj. Zyra e Shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se ministri Vangjel Tavo po zhvillon një vizitë zyrtare në Vatikan, në kuadër të nënshkrimit të disa marrëveshjeve.
Marrëveshjet e nënshkruara parashikojnë mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor, trajnim të stafeve mjekësore e shkëmbim eksperience, etj. Ndërkohë, parashikohet bashkëpunimi me disa spitale kryesore, bën të ditur MSH. Marrëveshje janë nënshkruar me spitalin “Zemra e Shenjtë”, “Bambino Gesu”, si dhe poliklinikën Agostino Gemelli.
MSH ka pasur bashkëpunim në vite me institucionet shëndetësore, Ente të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Kështu, në 2010 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale me Universitetin Katolik të “Zemrës së Shenjtë”, Fakultetin të Mjekësisë dhe Kirurgjisë “A. Gemelli”, Poliklinikën Universitare “ Agostino Gemelli” dhe qendrën e kërkimit dhe formimit të teknologjisë së lartë për shkencat biomjekësore “Gjon Pali II” e Kampobasos. Marrëveshja konsistonte në pritjen e pacienteve shqiptarë me patologji të rënda dhe të komplikuara, jo të shërueshme apo me kura të vështira, favorizim për formim profesional për personelin shqiptar mjekësor ose jo mjekësor në Poliklinikën Universitare "Agostino Gemelli” dhe bursa për mjekë dhe infermierë specialistë, si dhe përfshirjen e mjekëve shqiptarë në proceset e trajnimit në distance.
Më parë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në 2007 me Qendrën Kërkimore Spitalore “Bambino Gesu” dhe në 2008, një plan bashkëpunimi ndërinstitucional me spitalin “ Casa Sollievo della sofferenza”, San Giovanni Rotondo.