Shteti shqiptar po mendon që të njohë zyrtarisht gjuhën e minoriteteve në zyrat e pushtetit vendor, aty ky komuniteti përbën 20% të popullsisë. Nëpërmjet një projektvendimi, i propozuar nga ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, parashikohet  ky ndryshim që pritet t’i dërgohet së shpejti Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë projektvendim, pika dy parashikon se personat që i përkasin një pakice kombëtare, kanë të drejtën të paraqesin me shkrim kërkesën pranë njësisë vendore.

Në bazë të kërkesës së paraqitur, kryetari i bashkisë kërkon thirrjen e mbledhjes së këshillit bashkiak dhe merr masa për përgatitjen e materialeve për shqyrtim në mbledhje, bazuar mbi këtë kërkesë. Nëse vlerësohet e nevojshme për shqyrtimin e kërkesës, mund të zhvillohet një seancë dëgjimore me kërkuesit apo personin e autorizuar prej tyre.

Vendimi i këshillit bashkiak pasi i nënshtrohet verifikimit të ligjshmërisë nga ana e prefektit të qarkut, i komunikohet personit të autorizuar.

Kundër vendimit të refuzimit të kërkesës për përdorimin e gjuhës së pakicës, në marrëdhënie mes personave që i përkasin pakicave kombëtare, kërkuesit kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.

Projektvendimi i qeverisë parashikon dhe rastet e përdorimit e gjuhës së pakicës si për të paraqitur iniciativa qytetare nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar, paraqitjen e kërkesave drejtuar organeve baze të qeverisjes vendore etj.

Për të siguruar përdorimin në gjuhën e pakicës, organet përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, parashikojnë në buxhetin vjetor të tyre, për aq sa është e mundur, zë të veçantë për punësimin e personave që njohin gjuhën e pakicës kombëtare, sipas parashikimeve të ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe ligjit për financat vendore.