Komisioni i Ekonomisë vetëm me votat e maxhorancës i ka dhënë “dritë jeshile” qeverisë për të marrë një tjetër borxh deri në 700 mln euro.
Ministrja e financave Delina Ibrahimaj e justifikoi marrjen e kësaj huaje me vijimin e investimeve në vend. Por edhe për shkak të kushteve të favorshme në tregjet ndërkombëtare dhe interesave të ulta.
Opozita e ka kundërshtuar marrjen e një tjetër borxhi nga Shqipëria. Sipas deputetëve demokrat marrja e një borxhi në kohë krize do të rrezikonte financat shqiptare. Por kritikat nuk munguan edhe nga radhët e maxhorancës.
Deputeti Erjon Brace sugjeroi që të forcohet lufta ndaj evazionit dhe të rriten të ardhurat duke i konsideruar si të vetmet mënyrë për të ulur nivelin e borxhit publik.
Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare për herë të pestë për të emetuar një eurobond ndërkohë që afati i maturimit për pritet të jetë deri në 10 vite.
EUROBONDET E MARRA
Viti 2010 300 mln euro
Viti 2015 450 mln euro
Viti 2018 500 mln euro
Viti 2020 650 mln euro