19shtator 2015 – Shqipëria do të presë mijëra refugjatë sirianë. Ndonëse ky fakt nuk është bërë publik, Top Channel, tha sot se përgatitjet kanë nisur. Të hënën pritet që kreu i qeverisë, Edi Rama, të ngrejë një komitet ndërministror, i cili do të shikojë mundësinë e kapaciteteve strehuese për sirianët.
Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare vjen pas disa takimeve të përfaqësuesve të UNHCR-së, të cilët gjatë bisedimeve me zyrtarët shqiptarë kanë hedhur idenë për strehimin në Shqipëri të 3.000 deri në 4.000 emigrantëve nga vendi i udhëhequr nga Bashar al Assad.
Por, mediat britanike flasin për një shifër prej 75.000 sirianë që mund t’i drejtohen Shqipërisë. Kjo shifër konsiderohet jo realiste për vetë kapacitetet e mundshme të strehimit që ofron Shqipëria.
Mijëra emigrantë nga Siria kanë prekur prej muajsh vendet e Ballkanit, duke nisur nga Greqia, Maqedonia e së fundi janë afruar në Kroaci. Qëllimi i tyre është ikja nga lufta civile që ka prekur vendin, por dhe vendet e Europës po marrin masa drastike për të ndalur fluksin.
/portali DurresLajm/





