25 nëntor 2015 – Vendi jonë po përballet nga viti në vit me rënien e lindshmërisë si pasojë e jetës dinamike.
Sipas studimit të INSTAT mbi plakjen e popullsisë, ky fenomen, kombinuar me rritjen e jetëgjatësisë, do të rrisë moshën e tretë, ndaj dhe në vitin 2030 popullsia mbi 65 vjeç do të përbëjë 33% të qytetarëve.
“Në vitin 2001, norma totale e lindshmërisë ishte poshtë nivelit të zëvendësimit, me mesatarisht 2.3 fëmijë për grua. Në censusin e fundit, norma e lindshmërisë ishte poshtë normës së zëvendësimit, me 1.7 fëmijë për grua”, tha Bart de Bruijn, ekspert i Statistikës.
“Gjatë dy dekadave, nga ’89 deri në 2011-n, numri i personave të moshuar është dyfishuar dhe, nëse ky trend do të vazhdojë me këto ritme, në 2031-shin do të kemi 1/3-tën e popullsisë mbi 65 vjeç”, tha Emira Galanxhi, drejtore e Statistikave Sociale.
Një tjetër fenomen, që po çon në plakjen e popullsisë, është edhe tendenca e të rinjve për t’u larguar jashtë vendit.
“Të rinjtë kanë vazhduar të emigrojnë përgjatë dekadës së fundit. Studime të fundit tregojnë qëllimin në rritje të rinisë për të lënë vendin e tyre. Si ndikon kjo në marrëdhëniet ekonomike e sociale? Ky trend duhet të shqetësojë çdo qeveri dhe politikbërës”, tha ambasadori zviceran.
Ekspertët rekomandojnë reagim të shpejtë për t’iu përgjigjur këtyre ndryshimeve, që prekin skemën e pensionit, shërbimin shëndetësor, politikat e strehimit dhe ato arsimore afatgjata.
/portali DurresLajm/