Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin me qytetarët në rubrikën e “Sy m’Sy” u ndal edhe te Samiti i Komunitetit Politik Europian më 16 maj në Tiranë.

Rama theksoi se më 16 maj, Shqipëria do të jetë në vëmendjen e të gjithë botës, teksa këtë e ka quajtur një promovim të Shqipërisë në të gjitha aspektet.

“Do të jenë të tërë në Tiranë më 16 maj. Tirana do të jetë epiqendra e politikës europiane në një moment historik për Europën ku janë shumë tema të ndërthurura dhe Europa duhet t’i japë përgjigje disa pyetjeve lidhur me sigurinë, rritjen ekonomike, rritjen e pabarazisë, mjetet per zbutjen e kostove gjithmonë e më në rritje të jetesës. Të gjitha këto do të diskutohen në Shqipëri ku do të vijë në takimin e tij të parë të këtij formati edhe kancelari i ri i Gjermanisë dhe Shqipëria atë ditë do të jetë në vëmendjen e të gjithë botës. Do të jetë një promovim i Shqipërisë, rritjes së kuotave në arenën ndërkomëbtare, forcimit të imazhit, fuqizimit të dinjitetit, por patjetër do të jetë edhe një moment tjetër promovimi i Shqipërisë turistike”, shprehet Rama.

Ndër të tjera Kryeministri thekson se rëndësi të madhe do të ketë edhe për promovimin e Shqipërisë turistike nga ky samit që pritet të mbahet në Tiranë më 16 maj.

“Edhe në aspektin e Shqipërisë turistike jemi shumë krenar që kemi këtë mundësi promovimi të dyfishtë, por çfarë është më e rëndësishme është që të kuptojmë të gjithë që kjo Shqipëri duhet të hyjë në BE për të mbyllur përfundimisht hendekun e krijuar në shekuj me Europën, duhet të jetë anëtare e BE. Kjo është e sigurtë dhe jam shumë optimist, pasi shoh që po rritet adrenalina dhe energjia e përgjithshme politike, duke filluar nga rrathët e gravitetit politik të PS që janë flak dhe duke u shtrirë në të gjithë territorin dhe përtej. Besoj se i kemi të gjitha arsyet për të qenë optimist”, tha Rama.