· Hartë e Athinës zyrtare, Ministria e Arsimit: Nga Maqedonia Qendrore, Maqedonia Lindore, Trakia dhe Atika shumë familje po shpërngulen në Gjermani, Shqipëri, Angli, Australi, Turqi, Poloni dhe Kinë
DURRËS, 15 qershor 2014 – “Shqipëria zë vendin e dytë për numrin më të madh të familjeve të emigrojnë nga Greqia, fakt që tregon se shumë familje shqiptare që jetonin në Greqi tani po kthehen në atdheun e tyre për shkak të krizës financiare”, njofton “Greek Reporter”, që i referohet Ministrisë greke të Arsimit, e cila ka bërë publike një hartë mbi valën moderne të emigrimit të familjeve greke, për pasojë dhe të nxënësve.
Studimi që merret me shpërnguljet e nxënësve grekë në shkolla jashtë vendit, tregon se një numër i madh nxënësish të shkollave të mesme dhe të lartë (për rrjedhojë, familjet e tyre) po largohen nga Greqia për të ndjekur shkollat jashtë vendit.
Veçanërisht nga provincat e Maqedonisë Qendrore, Maqedonisë Lindore, Trakisë dhe Atikës shumë familje po emigrojnë në Gjermani, Shqipëri, Angli, Australi. Ndërkohë studimi tregon se disa familje emigruan edhe në Turqi, Poloni dhe Kinë vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, emigruan gjithsej 1,130 familje me fëmijë në arsimin e mesëm, ndërsa një tjetër hartë tregon se ka pasur 565 shpërngulje nga shkollat jashtë vendit në shkolla në Greqi.
Sikurse ka konstatuar Ministria e Arsimit, nuk ka ndonjë mënyrë për të ditur numrin aktual të nxënësve që kanë kaluar në shkollat jashtë vendit, për shkak se shumica e vendeve nuk kërkojnë certifikata zyrtare për regjistrimin e një student të ri të huaj. Kjo është arsyeja pse shumica e studentëve të emigruar nuk janë regjistruar zyrtarisht.
Shumica e familjeve greke duket se kanë emigruar në Gjermani ku kishte 527 regjistrime nxënësish grekë për vitin shkollor 2013-2014. Nga ana tjetër, Shqipëria zë vendin e dytë për numrin më të madh të familjeve të emigrojnë nga Greqia, fakt që tregon se shumë familje shqiptare që jetonin në Greqi tani po kthehen në atdheun e tyre për shkak të krizës financiare”, njofton “Greek Reporter”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





