DURRËS, 3 tetor 2014 –  Njësimi i procedurave të praktikave të inspektimeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishte qëllimi i takimit të fundit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të Shqipërisë dhe Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUV, njofton zëdhënësi i AKU-së).

TIRANA: SHESHIM I MOSMARRËVESHJEVE TEKNIKE

Drejtori i përgjithshëm i AKU-së, z. Afrim Bakaj, shprehu gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim të ndërsjellë sa më të mirë, duke theksuar, se “kryesorja është që produktet tona të lëvizin pa asnjë problem mes dy vendeve, duke respektuar marrëveshjet teknike dhe unifikuar disa praktika të inspektimeve në Pikat e Kalimit Kufitar, duke krijuar edhe lehtësira për importuesit dhe eksportuesit e dy shteteve tona”.

“Sa më shpejt të sheshohen mosmarrëveshjet teknike dhe të unifikohen praktikat dypalëshe, aq më frytdhënëse do të jenë bashkëpunimet tona”, u shpreh z. Bakaj.

PRISHTINA: MBI FORMATET E CERTIFIKATAVE NË PIKAT KUFITARE

Pala kosovare e kryesuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AUV-it, z. Nazif Krasniqi, ndër të tjera përgëzoi për mundësinë që u jepet për bashkëpunim të dy palëve, duke diskutuar për aspektet teknike për importin dhe eksportin e mallrave në PIK-e.

Z. Krasniqi tha më tej se lehtësimi i mëtejshëm i procedurave të kontrollit ndërmjet dy vendeve do të na ndihmonte shumë për lëvizjen e lire të mallrave ushqimore. Duke parashtruar edhe problematikën që haset aktualisht në formatet e certifikatave në PIK për produkte që kanë anomali, si dhe një sërë praktikash të tjera në lidhje me gjurmueshmërinë e produktit, të cilat u diskutuan konkretisht nga një grup dypalësh i specializuar pune, përfaqësuesit e dy autoriteteve nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të unifikimit të procedurave në PIK-e.

Marrëveshja që pritet të nënshkruhet Shqipëri-Kosovë është e bazuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA (Central European Free Trade Agreement), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/