Fitore, atëherë kur gjërat bëhen serioze Shqipëria është përgjigjur gati në apelin e Nations League, fryma e duhur dhe mbi të gjitha zgjedhjet e duhura, ajo për rikthimin e eksperiencës mbizotëron si një faktor me rëndësi madhore.Miqësoret mënjanë, në takimet zyrtare ku vlejnë pikët, duhet kontributi i tyre, 31 vitet e Migjen Bashës nuk janë peshë, por eksperiencë, inteligjencë, këmbë të mira dhe aftësi për të organizuar dhe dhënë jetë manovrës ndërtuese, gjithmonë i aftë për ti dhënë skuadrës qetësinë e duhur në shpërndarjen e lojës e krijim.

Memushaj është vlonjat, nuk është Skela, por nga ata mesfushorë që luftojnë, krijojnë, gjejnë pasimin e duhur e madje dalin edhe në zonë për të kërkuar golin, qershia mbi tortë, duhet gjithmonë një gjuajtje nga shpirti Xhaka. Taulanti në atë goditje ngjason me Granitin dhe padyshim në atë goditje, veç saktësisë vlen edhe kurajoja për një gjuajtje nga jashtë, duke vërtetuar shprehjen “fati ndihmon guximtarët”.

Hyka është një tjetër i rikthyer, i fokusuar për të mos gabuar. I duhen minuta për të dalë te loja e tij, ajo që presin të gjithë, inkursioni dhe tentativa për të gjetur portën. Eksperiencë vendimtare, por natyrisht duke i lidhur me përgjigjet e duhura nga të rinjtë, duhen vetëm 15 minuta për të kuptuar se Binaku, enigma e madhe e prag-ndeshjes, shfaq menjëherë personalitet, siguri, aftësi për të vertikalizuar, e madje për të shkuar aty para në kërkim të krosimit.

Nëse dikush kishte menduar balotazhin Strakosha-Berisha, pas pak minutash ka kuptuar se portieri i Lazios meriton gjithçka e madje edhe më tepër, për fat është ai në portë. Për sa i përket sulmit Sindrit Guri ende nuk e ka gjetur golin dhe ka shumë etje për të, aq sa harron të kërkojë edhe një penallti kur mund ta fitojë, pasi bën pjesë në hilet e zanatit të një sulmuesi. Për të do të dëgjojmë shumë në të ardhmen, edhe pse konkurrencën e ka me emra si Sadiku, Cikalleshi apo Bekim Balaj, që në minutat e dhëna tregon se mbetet një aset i çmuar i kësaj kombëtareje.

Hysaj i ri në moshë, por senator në eksperiencë, në mbrojtje është i paqortueshëm, por për një si ai i duhet të përballet me kërkesa gjithmonë të larta, madje edhe nga ato për të bërë bomberin kur i jepet rasti. Një ndeshje ka gjithmonë dritëhijet e saj, por Gjimshitit Izraeli i ndjell paksa ters. Ndoshta është dhe presioni, por i duhet më shumë siguri, pasi Strakosha këtë herë e ka shpëtuar, por me një gol barazimi, do ishte nën akuzë.

Gjithsesi qendra e mbrojtjes me të dhe Veselin ka mbajtur, dhe kjo nuk është pak. Shqipëria ka fituar sfidën e saj, të parën, dhe natyrisht merita i takojnë Panuccit, që ka korrigjuar duke i bërë thirrje sërish eksperiencës, ka kuptuar si duhet mekanizmin e duhur për të rikthyer shpirtin fitues, atë që i duhet kësaj Shqipërie në Nations League. Është një fitore me peshë të jashtëzakonshme, ndërsa pak ditë më pas në Skoci, një tjetër sukses do të ishte një hipotekë e rëndë për suksesin final në grup. E rëndësishme është që aty shkohet me frymën e duhur.