Pas lajmit për eliminimin e Shqipërisë nga “Euro 2016”, futbollistët kanë reaguar duke thënë se dhanë maksimumin në tri ndeshjet e luajtura në Grupin A, paçka se rezultati final nuk favorizoi kalimin në 1/8-at.

“Unë jam shumë krenar që jam pjesë e Kombëtares Shqipëtare, ne nuk e merituam që të eliminohemi, ne kemi dhënë gjithçka nga vetja 90 minuta lojë, por ndikon edhe fati. O sa mirë me qenë SHQIPTAR”, -shkruan Burim Kukeli në profilin e tij në “Facebook”.

Ndërsa Amir Abrashi tha më herët se dha gjithçka për Kombëtaren, por kjo nuk mjaftoi të kalonin grupin. “Ishte nder dhe krenari për mua ta përfaqësoj popullin tim në kampionatin evropian. Faleminderit shqiptarë”,-shkruan ai në profilin e tij.

Shqipëria mësoi lajmin e hidhur të eliminimit nga turneu më i madh i futbollit në Europë pasditen e së mërkurës, pas përfundimit të ndeshjes mes Hungarisë dhe Portugalisë (3-3).

Kapiteni i kuqezinjve në dy ndeshjet e fundit, Ansi Agolli, zgjodhi foton e Andi Lilës duke festuar pas fitores ndaj Rumanisë, për të ilustruar mundin dhe suksesin e tyre në “Francë 2016”. “E gjithë kjo aventurë e magjishme përmblidhet në këtë foto, pikërisht në fytyrën e mikut tim Andi Lila! Punë, sakrificë, vuajtje, emocion, fitore! Tifozë, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen! Jeni adrenalina jonë!”,-thotë Agolli në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Barazimi në këtë sfidë çoi në eliminimin e Shqipërisë, pasi kuqezinjve u duhej një fitore e hungarezëve, për të shpresuar më tej për rezultatet e Grupit E.