Nga Xhovalin Delia, piktor, Itali
Mos u skandalizoni nga titulli i shkrimit not politi-cally correct, por le të reflektojmë e të reagojmë të gjithë ndaj titullarëve të korrupsionit, të krimit e të degradimit etik, moral e politik. Në këto 21 vjet Shqipëria ka ndryshuar shumë, por shqiptarët kanë mësuar pak.
Ajo që nuk ka ndryshuar është demokracia. Ka mbetur po ajo foshnja gjytyryme e viteve nëntëdhjetë. Nuk është rritur, as pjekur, përkundrazi, ka degraduar si e ëma, Partia Demokratike, të cilës demokratike i ka mbetur vetëm emri. Ç’është Partia Demokratike?
Ishte pjella e shpresës shqiptare për liri e demokraci, për ligj e drejtësi, për një jetë më të mirë. Sot është partia personale, e bindur dhe e pangopur e Sali Berishës. Po kush është Berisha? Ishte doktori intelektual, të cilin shqiptarët e besuan dhe e zgjodhën si prijës për liri e demokraci.
Nga ana tjetër e llogores është Partia Socialiste, që ka përvjelë mëngët për të rilindur Shqipërinë. Po kush është Partia Socialiste? PS-ja është mbesa e PKSH-së, e cila lindi si shpresa shqiptare për liri, barazi e vëllazërim, e bija e PPSH-së, e cila na përçau me luftë klasash e na gjunjëzoi me varfëri e mjerim.
Sot PS-ja është partia më e re e më moderne shqiptare. Nga Partia Socialiste postkomuniste e Punës, PS-së së sotme i ka mbetur emri e simboli formalisht, por realisht, Rama e ka rinuar, pastruar nga rraqet e vjetra, e reformuar në një format socialdemokrat, sipas vizionit të tij, të ngjashme me Edin.
Po kush është Edi Ramaë Edi ishte artisti modern, ambicioz, antikonformist me vizion, kryebashkiaku që eksperimentoi një ide për të bukurën “me ngjyra” në politikë, (Tirana sot është dëshmia artistike e preludi i tij politik). Sot i takon sovranit ta gjykojë për atë ç’ka ai ka bërë, ç’ka ai është, dhe ta çmojë për atë çfarë ai premton se do të bëjë si rilindës kryeqeveritar.
Kush më mirë se ju e di sa demokrat është Saliu e sa socialist është Edi, sa antikomunist është njëri e sa komunist është tjetrië! Po t'i vini në kandar, do të vini re se diferenca midis dy kandidatëve në garë është evidente. Më evidentja është “higjiena” e tyre politike.
Doktori ka 21 vjet gjel kryetar: në parti, presidencë e qeveri, pozitë e opozitë, “këmishë politike” kjo, që shqiptarët e mbajnë veshur që nga rënia e diktaturës. Merret me mend sa e dobishme është për higjenën e shëndetin e politikës, të demokracisë e të doktorit vetë.
Megjithatë është e drejta e sovranit ta mbajë akoma në shtat apo ta hedhë te të palarat këtë “këmishë politike”, tashmë të dalë boje e tejet të konsumuar. A nuk është ky një motiv për t’u ndërruarë Një tjetër kualitet, jo më pak evident se higjiena politike, është fakti që Edi është ndryshe nga të gjithë politikanët e radhës.
Natyrisht që të qenurit “ndryshe” nuk është garanci matematike për ndryshim, por është probabilitet logjik për të ndryshuar. E treta e vërteta, Edi Rama para se të jetë politikan është artist intelektual me vizion. Nga ky stad i lartë Edi ka “zbritur” në politikë me një objektiv të qartë: për të ngritur kulturën, politikën e Shqipërinë më lartë.
Nisur nga fakti se mungesa e një vizioni kulturor, politik, ekonomik është e para ndër arsyet e shumta, që demokracia shqiptare nuk rritet, a nuk është edhe ky një tjetër motiv për të besuar tek projekti vizionar, “Rilindja 2013”ë E katërta dhe më e rëndësishmja është identiteti i Edi Ramës.
Para se të jetë artist, intelektual, politikan e kandidat për kryeministër Edi është njeri. Gjatë viteve që artisti intelektual ka hipur në ske-nën politike çfarë nuk është thënë, shkruar, fantazuar, spekuluar e abuzuar, për Edin si individ e për familjen e tij. Edi Rama është shqiptar, që e do Shqipërinë e shqiptarët.
Dëshmi për këtë është fakti që ai la mënjanë “luksin” artistik, braktisi Parisin, u kthye në Shqipëri, u zhyt në llumin politik e filloi të pastrojë, rikonstruktojë e pikturojë qytetin e tij, kryeqytetin tonë. Një performancë e paparë artistike, urbane, politike, çuditërisht e çmuar nga bota dhe e injoruar e përçmuar nga shqiptarët që po e gëzojnë! (nemo profeta in patria!ë!).
Edi është çun Tirone, nip Jugu, (Vlorë) i Shqipërisë së mesme, (Durrës) e i Veriut, (Shkodër). Bir i një familjeje me mbiemër mysliman, djali i dy prindërve ortodoksë (laik & ateist), nip i Veronikës katolike, rritur në një shtëpi me njerëz të thjeshtë e të shkolluar, shtruar në tavolinë me zogistë, komunistë e antikomunistë, edukuar e formuar në një familje si familja e madhe shqiptare “heterogjene”, ku kanë bashkëjetuar e bashkëjetojnë në paqe e harmoni, myslimanë, ortodoksë, bektashinj e katolikë, Jug e Veri, zogistë, revolucionarë e reaksionarë, kulakë, demokratë, ballistë e komunistë.
Një fëmijë i temperuar në një atmosferë të tillë familjare, nuk mund të jetë tjetër veçse një burrë i pjekur, tolerant, i hapur, racional, e qytetar i drejtë. A mishërohen tek Edi Rama këto cilësië Vetëm Edi mund të na e konfirmojë pasi të vijë në qeveri. Le ta provojmë!
Të provosh për të ndryshuar nuk është gabim, përkundrazi, një komb që nuk beson tek e reja, vë në dyshim të ardhmen e tij. Le t’ia besojmë Shqipërinë artistit ideator reformator siç ia besuam doktorit liberator 21vjet më parë!
/Shekulli/





