Shqipëria fitoi edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Azerbajxhanit në “Haladas Sportkomplexum” me rezultatin 3-1. Kuqezinjtë dominuan takimin dhe golat i shënuan Nedim Bajrami, Rey Manaj dhe Qazim Laçi. 

Shqipëria dominoi takimin që në startin e ndeshjes dhe kuqezinjtë e gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 11-të. Nedim Bajrami realizoi një supergol falë një goditje të fortë dhe të befasishme nga jashtë zone. 

Në vijim djemtë qarkulluan lojën dhe sërish u shfaqën rrezikshëm në portën kundërshtare. Pjesa e parë u mbyll 1-0. 

Fraksioni i dytë nisi me katër zëvendësime për Shqipërinë. Nga fusha e lojës dolën Asani, Broja,  Mitaj e Gjimshiti dhe u aktivizuan Arbër Hoxha, Rey Manaj, Naser Aliji e Enea Mihaj. 

Minutat e para të pjesës së dytë ishin më të mira për Azerbajxhanin por mbrojtja dhe Strakosha larguan rrezikun. Në vijim u aktivizua edhe Qazim Laçi i cili shërbeu saktë për Manajn në të 64-ën, por goditja e tij u ndal nga portieri kundërshtar.

Shqipëria realizoi edhe golin e dytë në minutën e 81-të me Rey Manajn. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës pas asisit të Naser Alijit. 

Kuqezinjtë shënuan edhe të tretin në të 87-ën me Qazim Laçin. Bajrami spektakolar shërbeu saktë për Laçin, i cili e dërgoi topin në rrjetë. 

Ndërsa Azerbajxhanin shënoi një gol në fundin e takimit me Gurbanli. Ndeshja u mbyll me fitoren e Shqipërisë 3-1. 

Kjo ishte edhe miqësorja e dytë e Shqipërisë në prag të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, teksa nesër kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Dortmundit ku do të akomodohen në kampin bazë gjatë ditëve të qëndrimit për finalet e “EURO 2024” në SportCentrum Kaiserau.

Shqipëria e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Azerbajxhanit: Thomas Strakosha (GK), Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti (C), Mario Mitaj, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Taulant Seferi, Jasir Asani dhe Armando Broja.