Shqipëria është gati për Rumaninë, ndeshja e fundit në grup, shansi i fundit për të mbajtur gjallë shpresat që ëndrra europiane e kuqezinjve të vazhdojë përtej kësaj faze. Pas dy paraqitjeve të mira dhe shpresëdhënëse, por të njollosura nga gabime episodike që kanë kushtëzuar zero pikë në arkën e klasifikimit, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit kërkon të bëjë rezultat. Elozhet për një debutim të denjë në elitën e kontinentit, hareja për një tifozeri të mrekullueshme që ka skuqur stadiumeet franceze tanimë ja lënë vendin shpresës së madhe që Shqipëria të vazhdojë këtë rrugëtim. Llogaritë janë të thjeshta, për të arritur dicka të tilla vlen vetëm fitorja ndaj Rumunëve, me shpresën që të favorizohemi dhe nga rezultatet e grupeve të tjera. Mision aspak i lehtë përballë një skuadre që pëson pak, ndërsa Shqipëria është ende në kërkim të golit të saj të parë në një Europian, por kjo ënderr ka lindur me moton 'Unë Besoj, dhe ajo nuk ndryshon cilatdo qofshin rrethanat'.
De Biasi këtë herë është rezevruar maksimalisht për të mos dhënë pika referimi për sa i përket formacionit, trajneri kërkon të surprizojë kundërshtarët, por stereotipia dhe identiteti i lojës së Shqipërisë lë pak balotazhe në lojës. Ndër ata që e kanë vendin të sigurt është padyshim Etrit Berisha, para tij ka një balotazh, ai mes Canës dhe Arlind Ajetit përkrah Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes, krahët nuk ndryshojnë me Hysajn dhe Agollin, ndërsa mesfusha është një repart ku dyshimet nuk mungojnë, i përkasin balotazhit mes Kaces dhe Taulant Xhakës për të zënë vendin e Kukelit të pezulluar, me korcarin më të favorizuar, të konfirmuar Abrashi dhe Memushaj dy ndër më të mirët dhe që vrapuan më shumë ndaj Zvicrës, ndërsa në të djathtë nevoja për të shtyrë më shumë përpara rikthen Odise Roshin, me Lenjanin në krahun e kundërt. Për sa i përket sulmit më i kuotuari për momentin është Sokol Cikalleshi i preferuari i De Biasit gjatë kualifikueseve por që gjithsesi mbetet në garë me Sadikun ndërkohë që nuk mund të përjashtohet apriori dhe një surprizë me Balajn. Këtë herë formacioni nuk është i sigurt, dhe dyshimet nuk mungojnë, por e sigurt është se kushdo që të zbresë në fushë do të japë më të mirën, që kjo të mos jetë ndeshja e fundit e Shqipërisë në Euro 2016.





