Shqipëria konsiderohet si një ‘parajsë’ për pensionistët e huaj, për shkak të kostos së lirë të jetesës raport me të ardhurat me tyre. Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një tjetër projektligj, i cili synon të tërheqë në vendin tonë një numër të madh të moshuarish, sidomos nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke u hequr barrierat ligjore sa i takon qëndrimit në Shqipëri. Nisma është propozuar nga deputeti Enver Roshi, ndërsa ndryshon ligjin për të huajit, duke parashikuar të drejtën e pensionistëve të juaj, për të aplikuar për t’u pajisur me leje qëndrimi.

Sipas nismës ligjore, i huaji mund të pajisjet me leje për të qëndruar në Shqipëri, nëse është pensionist, nuk i pakësohen të ardhurat mujore nga pensioni, nuk përbën cenim për rendin dhe sigurinë, të mos cenojë marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera si dhe të mos jetë debitor në vendin e tij. Sipas propozuesit, projektligji sjell një impak pozitiv në Shqipëri si rezultatit i përdorimit të pensionit nga të huajt si burim konsumi dhe investimi, duke krijuar edhe vende pune për nevoja të ndryshme që mund të kenë pensionistët, për kujdestarinë e shtëpisë, shërbimin mjekësor, shërbimin ushqimor etj.

Ligji aktual në fuqi për të huajit nuk i favorizon pensionistët për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri. Ligji parashikon leje qëndrimi për të huajit e punësua, ekuipazhet e mjeteve të lundrimit, për të huaji me kualifikim shumë të lartë, për trajnues pa pagesë, për shërbime vullnetare, për kërkim shkencor, për raste humanitare, për studentë, për viktimat e trafikimit, etj., por jo për pensionistët. Ndërkaq, një vit më parë, qeveria miratoi një akt normativ, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit e huaj që përfitojnë pension, me qëllim për të rritur lëvizjen e shtetasve të huaj në drejtim të Shqipërisë.