Shteti shqiptar i është bashkuar listës së donatorëve për rindërtimin e katedrales "Notre Dame" të Parisit, e cila u shkrumbua nga flakët pasditen e së hënës. Mësohet se qeveria shqiptare do të dhurojë një shumë prej 100 mijë euro.
Fondi për rinovimin e Katedrales, e dëmtuar rëndë nga zjarri i dy ditëve më parë, ka mbërritur këtë të mërkurë në kuotën e një miliard eurove, teksa presidenti Macron u zotua se ajo do të rindërtohej brenda 5 viteve.
Vetëm dy ditë pas “ferrit” që shkrumboi çatinë dhe rrëzoi spiralen në formë koni mbi katedralen simbol të katolicizmit francez, organizatorët e apelit për ndihmë për restaurimin e saj deklaruan se fondi po rritet me ritme të jashtëzakonshme.





