TIRANE– “E treta, e vërteta”, do të jetë hekurudha Shqipëri-Kosovë, e cila do të ndërtohet në Luginën e Fanit, krahas autostradës. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës Shqipërisë. Ky këshill, i cili kryesohet nga kryeministri i vendit ka miratuar të enjten dy projekte gjigante, që në tërësi përbëjnë investime në Shqipëri  prej 2.7 miliardë eurosh, atë të Kaskadës së Devollit dhe atij të gazsjellësit TAP, si dhe një numër HEC-esh me koncesion, katër prej të cilëve në lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël  me një kapacitet prodhimi prej 110 megavat, ku dy prej tyre do ndërtohen në lumin që gjarpëron krahas me autostradën. 

Qeveria e Shqipërisë ndihet e penduar se nuk ndërtoi  krahas autostradës Milot-Morin edhe hekurudhën që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën. Pendesën e pati shprehur ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. 

”Nuk jemi penduar aspak pse rruga është ndërtuar me katër korsi dhe jo me dy korsi. I vetmi gabim që është bërë me ‘Rrugën e Kombit’ është se krahas ndërtimit të kësaj rruge duhej të ndërtohej edhe hekurudha Milot-Morin-Prizren”, ka deklaruar ministri Olldashi. 

Pavarësisht pendesës për mosndërtimin e hekurudhës, krahas ndërtimit të autostradës, Qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga ky projekt, pasi kërkon të lidhet me hekurudhë me Evropën Qendrore përmes Kosovës. Në prill të vitit 2010, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi nga një samit në Bruksel se do të fillojë studimi i fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës Shqipëri-Kosovë. 

“Unë do të shoh dhe do të marr fizibilitetin për hekurudhën Shqipëri-Kosovë. Porti i Durrësit do të bëhet shumë i madh. Shqipëria nuk është më e varfër, por  ka një potencial  real edhe për ndërtim hekurudhash të këtyre përmasave. Shqipëria duhet  të dalë detyrimisht drejt Evropës Qendrore me hekurudhë dhe rruga më e mirë është drejt Kosovës”, deklaroi asokohe Sali Berisha.