·        Ministri Edmond Panariti në Harkiv: “Portet e Shqipërisë mund të jenë bazë e mrekullueshme jo vetëm për importimin e grurit në vendin tonë nga Ukraina, por edhe për furnizimet e saj të ardhshme në tregjet e Evropës nëpërmjet Ballkanit”

5 shtator 2015 – Shtypi dhe portale zyrtare të Ukrainës bëjnë të ditur se të premten, më 4 shtator 2015, u zhvillua një takim i zëvendëspresidentit të administratës shtetërore të rajonit të Harkivit Mark Bekker me Ministrin shqiptar të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti. Meqë ra fjala, dikasteri shqiptar i Panaritit nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar.

Në takimin, që u mbajt në kuadër të Forumit VII Ekonomik Ndërkombëtar “Inovacione. Investime. Nisma të Harkivit”, ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës për Çështje të Integrimin Evropian Vladislava Rutickaja (transkriptimi anglisht: Rutitskaya).

 “Ardhja e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimin e të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, për ne është e rëndësishme. Shqipëria ka vendosur lidhje të hapura me vendet evropiane, përveç kësaj, të gjitha produktet e tyre janë të certifikuara. Me vendosjen e marrëdhënieve me ta, do të kemi mundësi të furnizojmë produkte ukrainase me certifikatat e tyre në vendet e BE-së. Duhet vënë në dukje se Shqipëria ka zgjidhur gjithashtu të gjitha çështjet që lidhen me heqjen e kontrollit doganor, gjë që lehtëson kalimin e mallrave në tregjet evropiane”, – tha Bekker-i, i cituar nga portali “kharkivoda.gov.ua/ru/news/75828”. Bekker-i nënvizoi se Shqipëria është e interesuar për importim gruri, bishtajoresh dhe vajit nga Ukraina. Deri vitin e kaluar këto produkte janë të blerë në Federatën Ruse.

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti shtroi nevojën e nënshkrimit të një marrëveshjeje për njohjen e certifikatave fitosanitare midis Ukrainës dhe Shqipërisë, gjë që do të lehtësonte rrjedhën e produkteve dhe do të mundësonte zgjerimin e bashkëpunimit.

“Portet e Shqipërisë mund të jenë bazë e mrekullueshme jo vetëm për importimin e grurit në vendin tonë nga Ukraina, por edhe për furnizimet e saj të ardhshme në tregjet e Evropës nëpërmjet Ballkanit”, – tha Edmond Panariti, i cili bëri të ditur se Shqipëria është gjithashtu e gatshme për të eksportuar në Ukrainë produkte peshku.

Zëvendësministrja e Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës për Çështje të Integrimin Evropian Vladislava Rutickaja tha: “Jam e bindur se ne kemi potencial shumë më të madh për bashkëpunim dypalësh. Jemi të interesuar të rritim eksportin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore në tregun shqiptar. Drejtimi perspektiv është rritja e eksportit të vajit të luledielli, vaj i rafinuar, margarinës, yndyrave speciale”. Zëvendësministrja ukrainase shprehet se industria e qumështit ka perspektiva të mëdha në këtë drejtim. Para së gjithash ka të bëjë me segmentin e produkteve të qumështit pluhur, qumështit të konservuar, djathërave dhe qumështit UHT. Sipas saj, sipas rezultateve të 7-mujorit të vitit 2015 qarkullimi i mallrave agro-industriale midis Shqipërisë dhe Ukrainës arriti në 4.26 milionë dollarë.

/th. m. portali DurresLajm/