18 nëntor 2015 – Shqipëria është vendi mikpritës i takimit Nën-Rajonal të Vendeve Anëtare të Rrjetit Shëndetësor të Europës Jug-Lindore (SEEHN) për Përshkallëzimin e Zbatimit të Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit në vendet e Evropës Jug-Lindore.
“Njëra prej arsyeve që kemi zgjedhur të mbajmë këtë takim në Shqipëri, i detyrohet përkushtimit të fuqishëm të ministrit të Shëndetësisë për të bërë realitet Shqipërinë pa duhan. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbledhur përfaqësues të 11 vendeve për ta dëshmuar këtë me sytë e tyre, sepse ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të mësuar nga përparimi i bërë”, tha Kristina Mauer-Stender, Drejtuesja e Programit të Mbrojtjes nga Duhani në Zyrën Rajonale të OBSH për Europën.
Ndërkohë, sipas kreut të shëndetësisë shqiptare, puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare , në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtur një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan.
“Jemi në prag të një momenti historik, të një pikë ktheseje të rëndësishme për shëndetin publik në vendin tonë. Të dhënat e fundit të GYTS (Global Youth Tobacco Survey) 2015, krahasuar me ato të 2009, janë tepër optimiste dhe tregojnë qartësisht se jemi në rrugën e duhur.
Kështu, duhanpirja për studentët 13-15 vjeç në Shqipëri raportohet të jetë pothuajse përgjysmuar, duke u ulur në 6% nga 11.5% që ishte në 2009-n. Ndërkohë, për meshkujt e këtij grupi demografik, shkalla e duhanpirjes është ulur në 8.3% nga 17.6%, ndërsa për femrat, në 3.6% nga 6.3%.
Dhe, sigurisht që këtu, një rol të dorës së parë ka luajtur puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin antiduhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura.
Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i krijuar rishtazi, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe posaçërisht median dhe shoqërinë civile, u bënë pjesë e rëndësishme e kësaj beteje kundër duhanpirjes, duke mundësuar që Shqipëria të meritonte këtë vit çmimi më të lartë të OBSH-së, “World No Tobacco Day,” në shenjë vlerësimi për arritjet në kontrollin e duhanit dhe zbatimin e Konventës Kornizë të OBSH-së”, deklaroi minsitri Beqaj.
SEEHN është një forum ndërqeveritar rajonal i Ministrive të Shëndetësisë të Europës Jug-Lindore, themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Europën Jug-Lindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Bosnia-Herzegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia.
/portali DurresLajm/