31 maj 2014 – Agjencia Evropiane e Mjedisit ka studiuar 22 mijë zona plazhi në të gjithë Evropën për vitin 2013. 83% e zonave të përfshirë në studim janë me cilësi të shkëlqyer duke kapur parametrat maksimalë, ndërsa 95% arrin cilësinë minimale. Vetëm 2 % e plazheve në të gjithë Evropën kanë rezultuar me cilësi esktremisht të dobët dhe të papërshtatshëm për not.
Në raportin e Agjencisë Evropiane të Mjedisit kryeson listën me ujin më të pastër në Evropë, Qipro me cilësi 100%, më pas vijnë Luksemburgu, Malta, Kroacia dhe Greqia.
Ndërsa shtetet me treguesit më të ulët të cilësisë janë Estonia, Holanda, Belgjika, Franca, Spanja dhe Irlanda. Më keq nga të gjithë në vendet e Bashkimit Evropian është Estonia me 7.7% të ujërave të papërshtatshëm për t’u larë, më pas vjen Finlanda me 4,9%.
Megjithëse në listën e mësipërme nuk përmendet Shqipëria, kjo nuk e përmirëson aspak situatën. Këtë e tregojnë më së miri raportet e përvitshme nga specialistë të Shëndetit Publik. Sipas raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit 8.2% e ujërave në Shqipëri janë të papërshtatshëm për të bërë not. Megjithatë, në raport thuhet se Shqipëria nuk është krahasuar direkt me pjesën tjetër të Evropës, pasi është hera e parë që është përfshirë në studim.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





