Shqipëria pritet të konkretizojë gjatë këtij viti kryerjen e transaksioneve të pagesave brenda sistemit SEPA. Kjo pritet të sjellë uljen të ndjeshme të kostove të transfertave ndërkombëtare për qytetarët shqiptarët, brenda dhe jashtë territorit të vendit.

Sipas vlerësimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë, përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha dhe mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.

Bazuar në përvojën e Sistemit Shqiptar të Pagesave Ndërbankare për pagesat e klientëve vendas në euro, Banka e Shqipërisë që nga fillim i operimit në janar të vitit 2022, thotë se i ka kursyer tregut shqiptar rreth 50 milionë euro.  Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i anëtarësimit në SEPA do jetë dhe më i gjerë.

Zona Unike e Pagesave në Euro,  SEPA është një iniciativë e Bashkimit Evropian, e cila u mundëson individëve dhe bizneseve të bëjnë pagesa elektronike në euro, në mënyrë të sigurt, të lehtë, dhe efikase, duke ndjekur rregulla të njëjta ndërmjet vendeve anëtare. Megjithatë, sot zona gjeografike SEPA shtrihet edhe jashtë vendeve të BE-së.

Bordi i Këshillit Evropian të Pagesave mori vendimin të miratojë kërkesën e Shqipërisë dhe të Malit të Zi për anëtarësim e tyre në zonën gjeografike SEPA më 21 nëntor 2024.

Pjesëmarrja në SEPA iu ofron bizneseve shqiptare qasje në tregun evropian prej 450 milionë banorësh, duke iu ofruar mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre, rritjen e konkurrencës dhe përfitimin e risive.