Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për femra ka fituar 3-2 ndaj Polonisë, në takimin që çeli fazën e dytë të ndeshjeve të Grupit A, të Ligës Europiane. Takimi i luajtur në “Ramazan Njala” të Durrësit ka qenë mjaft i bukur, me rivalitet dhe emocione, me një Shqipëri që ka luajtur mirë, duke korrur fitoren e parë në këtë turne, duke marrë dy pikë të arta në renditje, që e mbajnë në lojë për kualifikimin në fazën finale.

Vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Martiri kanë bërë një ndeshje fantastike, ku Erblira Bici e Ariola Prenga bënë diferencën në fushë. Një ndeshje emocionuese, me një Shqipëri që vuri zemrën në fushë, duke korrur një fitore në arenën ndërkombëtare që mungonte prej vitesh.

Në këtë takim u dallua Bici me 23 pikë, ndërsa Ola Prenga realizoi 16, një dyshe fantastike në parket, ashtu sikurse fantastik ishin edhe tifozët e shumtë. Seti i parë është i ekuilibruar edhe pse janë polaket që kanë një avantazh të lehtë në fund, falë së cilës fitojnë 25-23 edhe pse Shqipëria rikuperon, por pa barazuar dot. Por në setin e dytë janë volejbollistet shqiptare ato që dominojnë, kanë epërsi në çdo moment, duke u shkëputur që në pikët e para dhe fitojnë 25-21. Seti i tretë është tejet dramatik, ku herë udhëheq Polonia e herë Shqipëria, situatë që përsëritet disa herë, madje edhe në pikët shtesë, ku përcaktohet fituesja. Shqipëria fiton 31-29, duke udhëhequr 2-1 me sete nga polakeve.

Por vajzat kuqezi nuk arrijnë të ruajnë ritmin dhe Polonia rikthen ekuilibrin në fushë, duke fituar 25-18 setin e katërt dhe çuar ndeshjen në setin final. Në setin e pestë është Polonia ajo që dominon në fushë në pikët e para, duke u shkëputur 7-3, por pa mundur të fitojë. Shqipëria beson te suksesi, luan me shpirt, rikuperon dhe fiton në pikët e fundit 15-13 dhe krejt ndeshjen 3-2. Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Sllovakia fitoi 3-2 ndaj Bjellorusisë (25-23, 25-21, 19-25, 15-25, 15-8), duke udhëhequr grupin me 10 pikë. Sot po në “Ramazan Njala” luhen takimet e ditës së dytë, ku Bjellorusia do të luajë ndaj Polonisë (ora 15:00), ndërsa Shqipëria do të përballet me kryesueset sllovake (ora 18:00). Shqipëria me këtë fitore ngjitet në kuotën e 3 pikëve.